Apeli ashpërson dënimin ndaj të akuzuarit për vrasjen e Ermal Kamberajt

Gjykata e Apelit ka ashpërsuar dënimin ndaj të akuzuarit për vrasjen e Ermal Kamberajt që ka ndodhur në Mitrovicë në maj të vitit 2017.

Apeli ka aprovuar ankesën e Prokurorisë së Mitrovicës dhe të përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, duke e ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës së Mitrovicës, sipas të cilit i akuzuari Sadik Bajrami ishte dënuar me 12 vjet burgim për vrasjen e Ermal Kamberajt në lokalin “Check In”.

Kështu, Gjykata e Apelit e ka rritur dënimin e të akuzuarit për veprën penale – vrasje e  rëndë 15 vjet burgim e për armëmbajtje pa leje me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e 6 muaj. Ndërsa, si dënim unik Apeli ka shqiptuar burgim në kohëzgjatje prej 16 vjet.

Sipas aktvendimit të siguruar nga KALLXO.com, në këtë dënim të akuzuarit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 21.12.2018 e tutje.

Ndërsa, ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykimi i ankimuar për pjesën tjetër vërtetohet.

Ndryshe, Sadik Bajrami e kishte pranuar fajësinë për vrasjen e Kamberajt që në seancën e shqyrtimit fillestar.

Në qershor të këtij viti, i pandehuri ishte shpallur fajtor për veprat penale – vrasje dhe armëmbajtje pa leje dhe ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 12 vjet, në të cilin dënim i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 21.12.2018 e deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, dhe dënim me gjobë në shumë prej 500 euro, dënim që do të ekzekutohej menjëherë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Gjykata dënon Sadik Bajramin për vrasjen e Ermal Kamberajt

I akuzuari po ashtu ishte obliguar që t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale në shumë prej 150 euro, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 20 euro, si dhe në Fondin për Kompensim të Viktimave të Krimit shumën prej 50 euro të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Kundër këtij aktgjykimi në afat ligjor ankesë kishin paraqitur Prokuroria e Mitrovicës, për shkak të vendimit mbi dënim, me propozim që me aprovimin e ankesës së Prokurorisë të ndryshohet aktgjykimi i ankimuar dhe të akuzuarit t’i shqiptohet dënim më i ashpër me burgim sesa që ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë.

Po ashtu, edhe përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, avokati Artan Qerkini, për shkak të vendimit mbi dënim, me propozim që me aprovimin e ankesës të ndryshohet aktgjykimi i ankimuar dhe të akuzuarit t’i shqiptohet dënim më i ashpër me burgim sesa që ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë.

Ndërsa mbrojtësi  i të akuzuarit Sadik Bajrami, avokati Avdi Dinaj, për shkak të vendimit për dënim,  me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe të akuzuarit t’i shqiptojë dënim më të butë sesa që ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë.

Në ankesën e Prokurorisë, përkitazi me këtë bazë ankimore, theksohet se dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë, nuk është adekuat me veprën penale por as me pasojën e shkaktuar, ngase, gjykata e shkallës së parë, edhe pse ka vendosur drejt kur të akuzuarin e ka shpallur fajtor, gjatë matjes së dënimit  ka nxjerrë konkluzion të gabuar për arsye se dënimi i shqiptuar është i butë dhe joadekuat në krahasim me veprat e kryera penale e posaçërisht pasojën konkrete dhe rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale.

Tutje në aktvendimin e Apelit të siguruar nga KALLXO.com, sipas pretendimeve ankimore, gjykata e shkallës së parë është dashur që të ketë parasysh edhe rrethanat rënduese si moshën e viktimës – që ka qenë pra, i moshës së re, dëmin e shkaktuar, karakteristikat personale të të akuzuarit – se i njëjti është recidivist i veprave penale e që vërtetohet nga vetë deklaratat e të akuzuarit se në Zvicër ka qenë i dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 vjet, për vjedhje, për çka edhe pas vuajtjes së dënimit është deportuar nga Zvicra në Kosovë.