Komandanti i Policisë në Kamenicë dëshmon në gjykimin e Refik Latifajt – Foto: KALLXO.com

Gjykimi për eksploatimin e rërës, dëshmon komandanti i Policisë

Në Gjykatën e Gjilanit ka vazhduar gjykimi i Refik Latifajt, ish-kryeinspektor në Komunën e Kamenicës, i cili po akuzohet për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Latifaj dyshohet se ka ndihmuar në forma të ndryshme mbi 6 kompani që merren me eksploatimin e rërës.

Në seancën e sotme, që kryesohej nga trupi gjykues i përbërë Aziz Shaqiri kryetar dhe Ramiz Azizi e Venhar Salihu anëtarë, dha dëshminë e tij Nazif Hajrizi, komandant i stacionit policor në Kamenicë, raporton KALLXO.com.

https://kallxo.com/kater-deshmitare-deshmojne-ne-gjykimin-e-ish-kryeinspektorit-te-komunes-e-kamenices/

Dëshmitari Hajrizi tregoi se në periudhën 2013-2014, si komandant i stacionit policor në Kamenicë kishin vërejtur se në fshatrat Laqiq e Desivojcë por edhe në pjesë tjera të komunës, zhvillohej një aktivitet ilegal i eksploatimit të zhavorrit dhe rërës nga disa operatorë, në kundërshtim me vendimin  e Qeverisë.

Duke i ndërmarrë disa veprime për të parandaluar dhe ndaluar këtë eksploatim, dhe për të zbatuar këtë vendim të Qeverisë që ishte obligativ, Hajrizi tregoi se si kishin parë tuba të zhavorrit, të klasifikuar në separacion përgjatë shtratit të lumit, si dhe gropa të mëdha, e degradim të ambientit në këto fshatra, si pasojë e eksploatimit të zhavorrit, raporton kallxo.com.

Dëshmitari më tej tregoi arsyen se pse kishte dalë në terren për të parë se a po zbatohej vendimi i Qeverisë për ndalimin e eksploatimit të rërës përreth lumenjve.

“Kam dalë pikërisht duke e parë që institucionet nuk po marrin veprime në zbatimin e vendimit të Qeverisë, dhe eksploatimit i zhavorrit nuk ndalej dhe kam parë që diçka s’është në rregull dhe kam vendosur që të dal në terren. Po ashtu, si arsye shtesë që kam dalë në terren është edhe shqetësimi i komunitetit ku banon në atë territor. Në Desivojcë e Laiqiq janë ankuar se nga kjo veprimtari po u dëmtohet rruga,” tha dëshmitari Hajrizi.

Ai më tutje tregoi se gjatë kohës kur kanë ndaluar kamionët e operatorëve ekonomikë që transportonin zhavorr nuk ishte i sigurt a ka qenë në gjitha rastet prezent aty edhe i akuzuari Refik Latifaj, por ai tha se që është i sigurt që prezenca e tij të ketë qenë gjatë periudhës 2013-2014, kur edhe shoferët e kamionëve të tillë, kanë ofruar dokumentin unik doganor (DUD), raporton www.kallxo.com.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Refik Latifaj, avokatit Avdi Dinaj, se a dini diçka inkriminuese për të mbrojturin e tij, dëshmitari deklaroi se për gjithçka që jam në dijeni, e kam thënë në këtë gjykim.

Dëshmitari më tej tregoi se si në terrenet ku janë eksploatuar sasi të mëdha të rërës, ato gropa nuk janë mbuluar dhe për hir të sigurisë, policia kishte ndërmarrë veprime operative, duke i rrethuar me shirita zyrtarë me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve, për shkak se ato gropa janë të thella, dhe ka qenë një iniciativë për të bërë një projekt për t’i mënjanuar rreziqet nga këto gërmadha.

Kur u pyet nga kryetari i trupit gjykues Aziz Shaqiri se a e keni parë dhe lexuar vendimin e Qeverisë për ndalimin e eksploatimit të rërës, dëshmitari tregoi se vendimin e Qeverisë që e kishte lexuar dhe nga brendia e tij por edhe nga takimet zyrtare që i kishin pasur me inspektorët e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe akterët tjerë komunalë, është thënë se është i ndaluar eksploatimi i rërës dhe zhavorrit në tërë territorin e Kosovës për periudhën kohore përkatëse dhe nuk e di saktë se kur ka hyrë në fuqi dhe kur ka skaduar ky vendim.

Sipas aktakuzës, përfaqësuar nga prokurori i shtetit Isuf Sadiku thuhet se Refik Latifaj akuzohet se në periudhën kohore 2013-2014 në cilësinë e shefit të Inspektoratit Komunal të Kamenicës në vazhdimësi ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke ndihmuar në forma të ndryshme mbi 6 kompani që merren me eksploatimin e rërës dhe zhavorrit.

Aktakuza sqaron se këtë ndihmë Latifaj e ka bërë duke dhënë instruksione për eksploatim ilegal të rërës dhe zhavorrit dhe duke i udhëzuar kompanitë që të pajisen me dokumente fiktive doganore si mbulesë e veprimtarisë së tyre.

Seanca e radhës caktohet do të mbahet më 18 dhjetor 2018.

https://kallxo.com/ish-kryeinspektori-i-kamenices-sot-del-para-gjyqit-per-zhavorr/

www.kallxo.com