Ndalohen punimet në rivitalizimin e urave në Prizren

Projekti i Komunës së Prizrenit për “Regjenerimin Urban të brigjeve të lumit Lumbardh” është ndaluar nga Inspektorati për Trashëgiminë Kulturore i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Kështu ka njoftuar përmes një postimi në Facebook organizata Ec Ma Ndryshe, sipas të cilës këto punime kishin filluar pa pëlqimin e organeve të trashëgimisë kulturore.

“Për këtë arsye, sipas informatave që ka pranuar EC Ma Ndryshe, këto punime janë ndaluar nga Inspektorati për Trashëgiminë Kulturore  të MKRS-së”, thuhet në njoftimin e tyre.

Të njëjtit kanë thënë se zyrtarët e MKRS-ës i kanë konfirmuar se për këtë projekt nuk është lëshuar pëlqimi nga organet e trashëgimisë kulturore që janë nën vartësi të kësaj ministrie.

“Mytaher Haskuka për Facebook kishte njoftuar se punimet në këtë projekt janë vizituar më 6 nëntor, në prag të balotazhit, në të cilën ngjarje ka qenë i ftuar edhe ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku”, shtuan ata.

Tutje ata thanë se fillimi i punimeve në këtë projekt, në kohë fushate, pa pëlqimin e duhur të organit të trashëgimisë kulturore përbën edhe veprim jo-etik të zyrtarëve institucionalë.

Sipas Ec Ma Ndryshe, për këtë projekt dhe këto punime Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren më 12 gusht të këtij vitt kishte parashtruar ankesë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinore dhe Infrastrukturës.

Ec Ma Ndryshe shtoi tutje se në një përgjigjeje zyrtare të MKRS-së thuhet se ende nuk është trajtuar kjo ankesë.

Të njëjtit njoftuan se sipas legjislacionit në fuqi për cdo ndërhyrje në infrastrukturën e Qendrës Historike të Prizrenit nevojitet pëlqimi i QRTK-së.

“Ky nuk është rasti i vetëm që organet komunale gjatë këtij mandati kanë iniciuar punime në këtë zonë të mbrojtur pa pëlqimin e këtij organi të trashëgimisë kulturore”, thuhet në njoftimin e EC-it.