Foto: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Ndahet buxheti për organizimin e procesit të votimit në komunat në veri të Kosovës

233 mijë e 204 euro janë ndarë për organizimin e procesit të votimit “për” apo “kundër” largimit të kryetarëve në komunat e veriut të vendit: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Kështu u bë e ditur nga Komisioni Qendror Zgjedhor në mbledhjen e mbajtur më 11.02.2024.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar datën 21.04.2024 për votimin pro apo kundër largimit të katër kryetarëve aktual të komunave në veri të Kosovës.

Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviqit në fillim të 2024, nënshkruajtën peticione për shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj ka prezantuar më 08.03.2024 numrin e qytetarëve të cilat kanë nënshkruar këto peticione.

Në Komunën e Leposaviqit 2 mijë e 905 qytetarë të Kosovës me të drejtë vote kanë nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit që përbënë 20% të popullsisë me të drejtë vote në këtë komunë.

“Nga komuna e Leposaviqit, lista përmban 3 mijë e 30 nënshkrime, rezulton se 2 mijë e 905 nënshkrues janë qytetarë të Kosovës Këto nënshkrime përbëjnë 20 për qind për këtë komunë”- ka thënë Ahmetaj.

Në Zubin Potok, 1 mijë e 380 qytetarë të kësaj komune me të drejtë vote kanë nënshkruar për shkarkimin e kryetarit; në Zveçan 1 mijë e 1714 dhe në Mitrovicën e Veriut 3 mijë e 653.

Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi shkuan në zgjedhje më 23 prill 2023, pas dorëheqjeve të kryetarëve serbë që kundërshtonin vendimet Qeverisë së Kosovës.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës u bojkotuan nga serbët lokalë – nxitur nga Lista Serbe.

Bashkimi Evropian, më 28.06.2023, ka aplikuar masa kufizuese ndaj Kosovës në lidhje me situatën e krijuar në veri pas zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit.

Kryetarët shqiptarë në komunat e veriut morën pushtetin në këto komuna në fund të muajit maj 2023, por qytetarët serbë të cilët i bojkotuan zgjedhjet lokale të prillit, nuk i pranuar rezultatet e tyre, dhe së voni pranuan ta shfrytëzojnë opsionin e mbledhjes së nënshkrimeve për t’i rrëzuar kryetarët shqiptarë.

Një Udhëzim Administrativ u nxor në fillim të shtatorit 2023 nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës, me qëllim për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.