Komisioni Qendror i Zgjedhjeve- Foto: Facebook

Fushata për ose kundër largimit të kryetarëve të komunave në veri fillon më 19 prill

Fushata për ose kundër largimit të kryetarëve të komunave me shumicë serbe Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut fillon më 19.04.2024 dhe përfundon në orën 07:00h më 21.04.2024.

Ky vendim dhe të tjerë në lidhje me aktivitetet që lidhen me procesin e votimit të prillit, u morën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur më 11.03.2024.

Sipas vendimit të KQZ-së, dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhgueseve të OJQ-ve vendore, ndërkombëtare dhe mediave fillon më 01 prill dhe përfundon më 15 prill 2024. 

Ndërkaq, dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike fillon më 01.04.2024 dhe përfundon më 15.04 2024.

Emërimi i Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve është caktuar të bëhet më 17.03. 2024, kurse emërimi i Këshillave të Vendvotimit parashihet të nis më 10.04.202 dhe të përfundoi më 1.04.2024. 

Jo më vonë se data 16.03.2024 duhet të bëhet publikimi i listës së qendrave të votimit.

Kurse në lidhje me çështjet teknike të ndërrimit të qendrave të votimit, KQZ mori vendim që periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës të bëhet nga 18 marsi deri më 03.04.2024.

Vendimi tjetër që është marrur në këtë mbledhje është që afati për kundërshtimin dhe konfirmimin e listës së votuesve të fillojë më 18 mars dhe të përfundoi më 05.04.2024;  

Procesi për të aplikuar për regjistrim si votues jashtë Kosovës, sipas vendimit të KQZ-së, fillon më 29 mars dhe përfundon më 03.04. 2024;  periudha e votimit përmes postës për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës fillon më 12 prill dhe përfundon më 20 prill 2024, dhe aplikimi për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta dhe në institucione fillon me 10 prill dhe përfundon më 18 prill 2024. 

Ndër tjera, KQZ mori vendim që certifikimi i Listës Votuese bëhet jo më vonë se më 09.04. 2024.

233 mijë e 204 euro është shuma e ndarë për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 21.04.2024 në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar datën 21.04.2024 për votimin e largimit të katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviqit në fillim të 2024, nënshkruajtën peticione për shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj ka prezantuar të premten (08.03.2024) numrin e qytetarëve të cilat kanë nënshkruar këto peticione.

Në Komunën e Leposaviqit 2 mijë e 905 qytetarë të Kosovës me të drejtë vote kanë nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit që përbënë 20% të popullsisë me të drejtë vote në këtë komunë.

“Nga komuna e Leposaviqit, lista përmban 3 mijë e 30 nënshkrime, rezulton se 2 mijë e 905 nënshkrues janë qytetarë të Kosovës, këto nënshkrime përbëjnë 20 për qind për këtë komunë”- ka thënë Ahmetaj.

Në Zubin Potok, 1 mijë e 380 qytetarë të kësaj komune me të drejtë vote kanë nënshkruar për shkarkimin e kryetarit: në Zveçan 1 mijë e 1714 dhe në Mitrovicën e Veriut 3 mijë e 653.

Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi shkuan në zgjedhje më 23 prill 2023, pas dorëheqjeve të kryetarëve serbë që kundërshtonin vendimet Qeverisë së Kosovës.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës u bojkotuan nga serbët lokalë – nxitur nga Lista Serbe.

Bashkimi Evropian, më 28.06.2023, ka aplikuar masa kufizuese ndaj Kosovës në lidhje me situatën e krijuar në veri pas zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit.

Kryetarët shqiptarë në komunat e veriut morën pushtetin në këto komuna në fund të muajit maj 2023, por qytetarët serbë të cilët i bojkotuan zgjedhjet lokale të prillit, nuk i pranuar rezultatet e tyre, dhe së voni pranuan ta shfrytëzojnë opsionin e mbledhjes së nënshkrimeve për t’i rrëzuar kryetarët shqiptarë.

Një Udhëzim Administrativ u nxor në fillim të shtatorit 2023 nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës, me qëllim për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.