Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Problemi me votat e minoriteteve, Daka e ndërprenë diskutimin dhe mbledhjen në KQZ

Kryesuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka ka ndërprerë mbledhjen e sotme pas hapjes së diskutimit për votat e minoriteteve.

Sami Kurteshi, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në KQZ tha se shihet se në disa komuna të banuara me shumicë serbe ka orientim të qëllimshëm politik të votave nga komuniteti serb nga Lista Serbe në drejtim të subjekteve politike nga komuniteti rom e boshnjak.

Kurteshi tha se kjo është një lojë shumë e rrezikshme që mund të kthehet kundër komuniteteve.

“Kërkoj nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të trajtoj këtë çështje”, tha Kurteshi.

Kryesuesja e KQZ-së Valdete Daka tha se për këtë çështje nuk kanë kompetencë, prandaj sipas saj veç mund të diskutojnë.

“Ne jemi duke i parë gjërat, po adresa është e gabuar”, tha ajo.

Artan Asllani nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), tha se duhet reaguar, pasi sipas tij, trendi i 2019 u përsërit në 2021.

“Mos t’ia imponoj kurrkush të drejtën e votës kurrkujt. Unë kam bërë apel te partitë politike t’i shfrytëzojnë mundësitë e ankimit, qoftë deri në Gjykatë Kushtetuese. E kam pa që ka reagime prej shoqërisë civile. Kam bërë apel te kryeshefi që t’i kontrolloj nëse ato vota janë të vlefshme, por ato vota nuk mund të anulohen nëse janë të vlefshme”. E vlerësoj Kurteshin për ngritjen e kësaj çështje”, tha ai.

Rifat Krasnic, nga Kosova Turk Demokratik Turk Partisi (KDTP) tha se derisa nuk e ndërrojnë Ligjin në Parlament, kanë me pas shumë probleme.

“Kur udhëheqësja e presidentit vjen në Mamushë, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti vijnë në Mamushë edhe hanë pite edhe thonë që duhet bërë ndryshim, demek KDDP-ja s’ka me qenë kurrë në Parlament, a thuhet ajo fjalë. Marre është Vjosa Osmani me ardhë në Mamushë edhe me thonë po ha pite edhe po bëjë ndryshim”, tha ai.

Daka e ka ndërprerë mbledhjen duke thënë se në nuk janë më Parlament.

“Ju lutem çështjet politike ngriti në Parlament, këtu nuk është Parlament. KQZ organizon zgjedhje”, tha ajo.

Zgjedhjet në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt. Disa parti të minoriteteve janë duke aluduar që Ardijana Hoxhiq nga boshnjakët dhe ‘Romani Iniciativa’ nga romët, kanë marrë vota më shumë duke bashkëpunuar me Listën Serbe.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Iniciativa e Adrijana Hoxhiqit ka marrë 6 mijë e 379 vota, mirëpo më shumë se gjysma e votave për të kanë ardhur në 4 komunat veriore.

Kundërshtarët politikë të Hoxhiqit pretendojnë se ka pasur një marrëveshje mes Listës Serbe dhe Iniciativës së Hoxhiqit që të votohet kjo e fundit.

Në anën tjetër kryetari i partisë egjiptiane (PLE), Veton Berisha ka akuzuar partinë ‘Romani Iniciativa’ të komunitetit rom për bashkëpunim më Listën Serbe.

Në zgjedhjet e së dielës sipas rezultateve preliminare, ‘Romani Iniciativa’ i ka marrë 3,827, madje kjo parti ka marrë vota edhe në komuna ku nuk jeton asnjë banor i komunitetit rom.