Deputeti Naser Osmani - Foto: Facebook

Naser Osmani: Kam hequr dorë nga lista e kandidatëve me vullnet të pastër

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Naser Osmani, ka përjashtuar mundësinë që dikush nga partia t’i ketë kërkuar që ai të heqë dorë nga kandidimi për deputet përderisa është në një proces gjyqësor.

Osmani dje bëri të ditur se nuk do të jetë në listën e kandidatëve.

Ndaj tij, në gjykatën e Prishtinës është duke u zhvilluar një proces gjyqësor që ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime të fondit të 3 përqindëshit, fond i menaxhuar nga qeveria e Kosovës në ekzil në vitet 199o.

Në prag të zgjedhjeve, vazhdon gjyqi për fondet e 3 përqindëshit

Në këtë proces gjyqësor ai po gjykohet bashkë me ish- kryeministrin e Kosovës të asaj kohe, Bujar Bukoshi dhe Atdhe Gashi.

“Mu me ma kërku partia me u largu prej listës a ? Qe 30 vjet në parti. Çka është kjo pyetje! Unë jam larguar me vullnet të pastër”, tha shkurtimisht ish-deputeti i LDK-së, Naser Osmani i pyetur nëse ka qenë kërkesë të partisë të mos kandidojë për deputet.

Aktualisht kryesia e LDK-së është duke mbajtur një mbledhje ndërsa pasdite Këshilli i Përgjithshëm do të diskutojë për listën e kandidatëve të kësaj partie për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit.