Shkolla "Dy Dëshmorët", Talinoc i Muhaxherëve

Nagavci përuroi shkollën pa karrige, ndërsa nxënësit po mbajnë mësim në objektin që u ndërtua në vitin 1928

Një oborr në fshatin Talinoc të Muhaxherëve të Ferizajt ka dy objekte shkollore, njëri i vjetër 97 vjet i vjetër, kurse tjetri u përurua këtë vit nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ani pse nuk ishte i furnizuar me karrige.

Edhe pasi kaluan katër muaj që ministrja Nagavci e përuroi, mungesa e karrigeve në objektin e ri të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Dy Dëshmorët” në Talinoc të Muhaxherëve në Ferizaj, i ka lënë nxënësit të mësojnë në objektin e vjetër që thuhet se është ndërtuar më 1928 dhe ka kushte të vështira për mësim.

Klasë që muret janë me myk dhe në disa edhe me vrima, dritare të thyera e që nuk hapen, dysheme të dëmtuara, banka dhe karrige të vjetra, janë kushtet që e kanë katandisur objektin e vjetër të Shkollës “Dy Dëshmorët”.

Ministria e Arsimit nuk ka dhënë përgjigje se pse e inauguruan këtë objekt pa karrige, por për mosfurnizimin e shkollës me karrige, thonë se operatori ekonomik nuk e ka ofruar inventarin sipas përshkrimit që kanë kërkuar. Përurimi u bë më 15.01.2025, katër ditë pasi filloi fushata për zgjedhjet parlamentare.

“Kompania furnizuese pasi është njoftuar se do të ndërpritet kontrata nëse nuk përgjigjet në sigurimin e artikujve sipas kontratës ka premtuar se artikujt do t’i siguroj. Pas premtimit të kompanisë se gjatë muajit maj do të jenë në dispozicion artikujt e inventarit sipas kontrate, komisioni planifikon që në javët në vazhdim të kryej pranimin e artikujve të inventarit, nëse janë sipas kontratës.” – thuhet në përgjigjen me shrkim të Ministrisë së Arsimit, më 08.05.2025.

Prindërit e nxënësve që vijojnë mësimin në Shkollën “Dy Dëshmorët” në Talinoc të Muhaxherëve janë të shqetësuar për kushtet në të cilat fëmijët e tyre mësojnë dhe kanë menduar edhe t’i ndalojnë për të shkuar në objektin e vjetër të Shkollës derisa t’u bëhet zgjidhja për të kaluar në objektin e ri.

“Shkolla [e vjetër] është mjerim, era myk vjen, është pluhun. Unë fëmijët dytë i kam alergji prej pluhnit, dytë çdo ditë vijnë me ankesa. Këshilli i Shkollës ka bisedu që m’i ndal fëmijët, m’i ndal fëmijët derisa bëjnë zgjidhje diçka” – ka thënë S. R., prind i një nxënëseje.

Objekti i vjetër i Shkollës “Dy Dëshmorët”, Talinoc i Muhaxherëve

Klasa në objektin e vjetër të Shkollës “Dy Dëshmorët”, Talinoc i Muhaxherëve

Kurse, Kujtim Hoxha, prind i tre nxënësve të Shkollës “Dy Dëshmorët”, të cilët janë parashkollor, në klasë të dytë dhe të pestë, në një intervistë për KALLXO.com, përveç që ka shprehur shqetësimin e tij për kushtet e mësimit në objektin e vjetër të Shkollës, ai është i shqetësuar edhe për orën e mësimit që zgjatë vetëm 30 minuta. 

“Në anën tjetër, ekzistojnë kushte që nuk janë as edhe minimale, nuk i plotësojnë kushtet, objekti ekzistues, që gati 100 vjet i ka…Qysh një objekt kaq i madh, me detaje kaq të mëdhaja, nuk janë paraparë karriget, nëse s’janë paraparë, nuk e kuptoj këtë aspekt” – ka thënë Hoxha.

Klasa pa karrige në objektin e ri të Shkollës “Dy Dëshmorët”, Talinoc i Muhaxherëve

“Une them që java është shumë mos m’u funksionalizu, se le ma me vite qysh ka ndodhë. Edhe një javë është e tepërt mos me startu, d.m.th mësimi në këtë shkollë… Le të merren seriozisht, le të startojë mësimi [në objektin e ri të Shkollës] pa asnjë vonesë, sepse kjo shkon në dëm të krejt qytetarëve, sidomos fëmijëve… Mund të pësojë edhe një fëmijë atëherë bëhet vonë, ndoshta, me fatalitet, se është rryma kemi ndëgju që është shumë sistem i vjetëruar” – ka shtuar Hoxha. 

Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Ferizaj ka treguar se kishte pasur një debat mes tij dhe kabinetit të ministres Nagavci, pasi i kishte informuar se mungojnë karriget dhe se nuk duhej të përurohej objekti i ri i Shkollës “Dy Dëshmorët”. 

“Ne e kemi bërë një lloj përurimi, e kuptojmë se ka qenë një kohë fushate dhe ndoshta i është dashur për ta bërë një gjë të tillë, por megjithatë ajo që kemi insistu ne, kemi insistu që të mos bëhet. Në mënyrë që pastaj të mos ndjehemi edhe ne keq, po në fakt fëmijët dhe nxënësit e atij lokaliteti, fshati por edhe mësimdhënësit të mos mbesin akoma në objektin e vjetër” – tha Llabjani për KALLXO.com. 

“Ne po presim, përkundër kërkesave që kemi bërë edhe më vonë përmes shkresave, përmes telefonatave me zyrtarët e kabinetit të ministres. Nuk kemi arritur akoma që ta furnizojmë atë shkollë me karrige” – ka shtuar Llabjani. 

Llabjani u arsyetua se furnizimi me inventar i shkollave bëhet nga Agjencia Qendrore e Prokurimit, prandaj nuk kanë mundësi që ta furnizojnë me karrige si komunë objektin e ri të Shkollës “Dy Dëshmorët”.

Shqipe Zeqiraj-Emini, drejtoreshë në Shkollën “Dy Dëshmorët” në Talinoc të Muhaxherëve tha se ndërtimi i objektit të ri përfundoi në shtator, 2024, kurse Ministria e Arsimit e ka informuar se është ndërprerë tenderi me kompaninë për furnizimin e karrigeve, me arsyetimin se nuk janë punuar karriget në përmasat që kanë përcaktuar. 

Për vizitën e Nagavcit në janar të këtij viti, Zeqiraj-Emini pretendon se ministrja u kishte premtuar se brenda dy javësh do ta furnizonin me karrige objektin e ri të Shkollës. 

“Kemi pasë informacione që do të fillon në nëntor, dhjetor, mirëpo na kemi fillu m’i ba përgatitjet për m’u bartë në shkollën e re, mirëpo fatkeqësisht nuk është pajisë shkolla me karrige. Karriget që i kam në shkollën ku na tash po mësojmë, janë me numër të paktë, për shkak se janë 340 nxënësë edhe për këtë arsye nuk kemi fillu mësimin në shkollën e re” – ka deklaruar Zeqiraj Emini. 

Sipas Zeqiraj-Emini ata vazhdimisht pranojnë ankesa nga prindërit për shkak të kushteteve të mësimit në objektin e vjetër të Shkollës “Dy Dëshmorët”.

“[Prindërit] kanë thanë që në momentin e parë kemi edhe m’i ndalë fëmijët prej shkollës… Rrezikohemi që fëmijët në shtator [2025] të shkollës tonë mos me fillu mësimin, në qoftë se nuk kalojmë në objektin e ri shkollor” – ka thënë Zeqiraj-Emini. 

Pasi janë vetëm 8 klasë në objektin e vjetër të Shkollës “Dy Dëshmorët”, Zeqiraj-Emini tha se nxënësit ka kohë që mësojnë me tri ndërrime dhe ora e mësimit zgjatë 30 minuta. 

Ajo tha se i ka vizituar Inspektorati i Arsimit në Ferizaj dhe janë në dijeni se ora e mësimit zhvillohet 30 minuta. Në anën tjetër, sipas udhëzimit administrativ 10/2015 të Ministrisë së Arsimit, ora e mësimit duhet të zhvillohet 45 minuta. 

KALLXO.com e ka pyetur përmes telefonit Bujar Bajramin, inspektorin e Arsimit në Ferizaj për orën e mësimit që zgjatë 30 minuta në Shkollën “Dy Dëshmorët”, por Bajrami ka kërkuar që për këtë çështje përgjigjja të merret nga Ministria e Arsimit.

Edhe pse është kontaktuar dhe pyetur, Hidajete Vokshi, ushtruese e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Inspektoratit të Arsimit, nuk ka kthyer përgjigje.

Zeqiraj-Eminaj ka treguar se në projektin e ndërtimit të objektit të ri të Shkollës “Dy Dëshmorët” parashihet që të rrënohet objekti i vjetër dhe në atë hapësirë të ndërtohen fushat e brendshme sportive. Sipas saj, banorët e fshatit kanë pranuar që të rrënohet objekti i vjetër, megjithëse ajo e pohoi se duhet të ruhet si trashëgimi.

KALLXO.com kishte raportuar edhe më 11.03.2023 për kushtet e mësimit në objektin e vjetër të Shkollës “Dy Dëshmorët” në Talinoc të Muhaxherëve. Në atë kohë, objekti i ri i Shkollës nuk i kishte ende punimet e përfunduara.