Mësimi në shkollën me myk dhe me tri ndërrime në Talinoc të Muhaxhirëve

Pothuajse pesë minuta nga Ferizaj, në Talinoc të Muhaxhirëve gjendet shkolla “Dy Dëshmorët” e cila tashmë ka hyrë në dekadën e saj të nëntë.

Përpos viteve, të shumta janë edhe problemet që e kanë kapluar këtë shkollë si pasojë e vjetërsisë.

Që në pamje të jashtme bien në sy dritaret e vjetra dhe muret e dëmtuara të kësaj shkolle. Pak metra tutje janë edhe tualetet që gjenden në oborrin e shkollës e më larg qëndron edhe objekti i ri i këtij institucioni arsimor punimet e të cilit kanë mbetur të pa finalizuara.

Tualetet jashtë objektit shkollor. FOTO: KALLXO.com
Muri i dëmtuar jashtë objektit të shkollës. FOTO: KALLXO.com
Gjendja e dritares në njërën prej klasëve në shkollën “Dy Dëshmorët”. FOTO: KALLXO.com

Kur tingujt e ziles së  kësaj shkolle kumbojnë në tërë korridorin, bëhet edhe ndërrimi i orëve të cilat tash e tri vite zgjasin vetëm 30 minuta si pasojë e mësimit që mbahet me tri ndërrime.

Këtë situatë, shqetësuese e konsiderojnë edhe prindërit të cilët disa herë gjatë ditës vijnë në këtë shkollë për t’i dërguar dhe marrë fëmijët e tyre nëpër ndërrime të ndryshme.

Një nga këta prindër është edhe Lumturie Vrella, dy fëmijët e së cilës vijojnë mësimin në orare të ndryshme.

“Në këtë shkollë kam djalin prej orës tetë në mëngjes deri në ora 11 e gjysmë. Vajzën e kam në parashkollor deri në ora 1 e gjysmë ku janë kushte të mjerueshme. Shumë keq është shkolla me hy brenda, klasa e mykët, sidomos e para fillorëve” – shprehet Vrella e cila pohon se kjo situatë është e vështirë edhe për stafin e këtushëm.

“Si për mësimdhënës është vështirë, si për drejtoreshën, si për të gjithë”- thotë ajo.

Myku në klasën e parafillorëve në SHFMU “Dy dëshmorët”. FOTO: KALLXO.com

Mbajtja e mësimit në këtë formë e ka penguar Vrellën edhe në rrethana të tjera pasi që ajo është detyruar ta marrën vetëm ndërrimin e pasdites në punë.

“Unë jam detyru m`i marrë ndërrimin vetëm pasdite për punë shkaku i fëmijëve paradite që janë të tre. Është shumë vështirë për mua me ardhë mi sjell vajzën në ora 11, mu kthy shpejt në shtëpi, tani me u kthy me ardhë m`i marrë, tani me shku në punë”- shpjegon ajo.

Lumturie Vrella, prind. FOTO: KALLXO.com

Si shumë prindër të tjerë edhe Lumturia mbetet me shpresën që finalizimin i objektit të shkollës së re të bëhet sa më shpejtë.

Në këtë formë ajo beson se rrethanat mund të lehtësohen për nxënësit dhe për stafin arsimor të këtushëm.

Dëshirë të njëjtë ka edhe banori i këtij fshati, Rexhep Makolli, i cili çdo ditë në këtë shkollë sjellë mbesat dhe nipin e tij.

“Duhet me ardhë dy herë në ditë, dy herë m`i pru dhe dy herë mi marrë. Po nuk është bash e lehtë por po duhet me ndejtë gati, me pas ndonjë tjetër punë po duhet m`u angazhu për ta” – shpjegon Makolli.

“Me kanë që del ky objekti i ri tash ndoshta diçka ka me pasë ndryshime më të mira. Më lehtë është, me siguri më lehtë është edhe për fëmijët edhe për prindërit edhe për krejt” – shton ai.

Rexhep Makolli, familjar. FOTO: KALLXO.com

Nxënës shumë, hapësirë pak

Në shkollën prej 340 nxënësish, gjenden tetë dhoma mësimi të cilat kryesisht mbajnë 21 deri në 23 fëmijë, e kur klasët janë edhe më të vogla ky numër limitohet në 18 nxënës.

Porse, hapësira e vogël nuk është problemi i vetëm i këtyre klasëve pasi në shumë raste ato janë të rrethuara nga muret e mbushura me vrima dhe bankat e vjetruara.

 

Gjendja e murit në një klasë të SHMFU “Dy dëshmorët”. FOTO: KALLXO.com

Edhe në sallën e asrimtarëve ka çarje në tavan.

Çarja në tavan në sallën e arsimtarëve. FOTO: KALLXO.com
Çarja në tavan në sallën e arsimtarëve. FOTO: KALLXO.com

Se kushtet në këtë shkollë lënë për të dëshiruar e pohon edhe drejtoresha e kësaj shkolle, Shqipe Zeqiraj Emini, sipas së cilës kjo shkollë ka 95 vite që kur është ndërtuar.

“Shkolla është e ndërtuar në vitet 1928, ndër vite ka pasur renovime të vogla, shtim të hapësirës së shkollës, mirëpo vet fakti kur themi që viti 1928 e shohim që kanë kaluar goxha vite në këtë shkollë”- tregon drejtoresha teksa përmend edhe shumicën e problemeve që shoqërojnë këtë shkollë në përditshmëri.

“Problemet kryesore janë objekti i vogël, numri i madh i nxënësve, nuk është problem numri i madh i nxënësve, fatmirësisht që kemi numrin e madh të nxënësve por që po na shkakton probleme. Vjetërsia e shkollës, domethënë kushtet infrastrukturore në këtë shkollë janë për tu dëshiruar”- tregon Zeqiraj Emini.

Shqipe Zeqiraj Emini, drejtoreshë e shkollës “Dy Dëshmorët”

Sfidat nëpër të cilat kalon kjo shkollë janë edhe më të theksuara gjatë stinës së dimrit.

Si probleme kryesore gjatë dimrit, drejtoresha Zeqiraj Emini thekson kohërat kur bie shi me ç’rast pikon edhe çatia, e në raste tjera ajo përmend dhe problemet si pasojë e instalimit të vjetër të rrymës.

“(Gjatë dimrit) çatia pikon, është instalimi i vjetër i rrymës, është problem edhe me has ku është problemi, këto janë, shirat kur bien”.

Numri i madh i nxënësve ka qenë edhe arsyeja që kjo shkollë ka mbetur me tri ndërrime.

“Prej kohës kur pandemia është shfaqur në Kosovë ne kemi fillu me i nda klasët, me i përgjysmu në mënyrë që të mos rrezikohen fëmijët nga Covid-19 edhe nga atëherë numri i nxënësve në shkollë ka filluar të rritet, domethënë janë 20 paralele me tetë dhoma mësimi” – shpjegon drejtoresha.

“Për këtë aryse kur e sheh që janë 8 dhoma mësimi me 20 paralele atëherë ne bashkë me këshillin drejtues, me këshillin e prindërve, me mësimdhënësit e kemi parë të arsyeshme që për shkak të rritjes së numrit të nxënësve me punu me 3 ndërrime, dhe faktikisht puna me tri ndërrime na ka mundësuar të punojmë me 30 minuta”- shton ajo.

Mirëpo, Zeqiraj Emini tregon se në objektin e ri shkollor mësimi do të mbahet me orar normal.

“Po besojmë shumë shpejtë që në shtator do të kthehemi për së mbari edhe ne. Do të kthehemi me dy ndërrime, me 40 minuta orë edhe pse jo me kushte më të mira për punë”.

Zvarritjet në ndërtimin e objektit të ri shkollor

 Në fund të 2019-tës nisi ndërtimi i objektit të ri shkollor ku për këtë plan tre vjeçar u dhanë 1 milion e 241 mijë e 728 euro.

Megjithatë, edhe pse kanë kaluar tri vite, punimet për ndërtimin e objektit të ri të kësaj shkolle kanë mbetur të papërfunduara.

Objekti i ri shkollor i pa finalizuar. FOTO: KALLXO.com

Në një përgjigje për KALLXO.com, drejtori i Arsimit në komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani, ka shpjeguar se ky projekt është investim nga Minsitria e Arsimit.

“Ndërtimi i kësaj shkolle ka filluar në vitin 2018-2019 dhe është investim nga MASHTI. Vlera e projektit për ndërtimin e objektit të ri të shkollës është 1,241,728 euro. Projekti ka qenë tre vjeçar” – ka thënë Llabjani për KALLXO.com.

Në anën tjetër, nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) kanë treguar disa prej arsyeve për vonesat në finalizimin e objektit të ri shkollor.

Naim Demiri, menaxher i projektit ka sqaruar se ndërtimi i objektit të ri të kësaj shkolle ka filluar në nëntor të vitit 2019 dhe se kontrata është nënshkruar më 23 gusht 2019.

“Ka pasur vonesa në fillim të punimeve deri sa kanë bërë piketimin e objektit, sepse ka pasur vonesa për arsye të parcelës, deri sa është bërë një marrëveshje në mes Komunës se Ferizajt dhe Bashkësisë Islame që ka qenë kontestuese një pjesë e parcelës se shkollës” – ka shpjeguar Demiri.

Ndër problemet tjera që kanë shkaktuar këto vonesa Naim Demiri ka përmendur edhe pandeminë COVID-19 dhe rritjen e çmimeve.

“Arsyet e vonesave kanë qenë edhe këto: vonesat në fillim të punimeve për arsye të problemeve pronësore dhe pëlqimin nga niveli komunal për fillim të punimeve; ngritja e çmimeve në treg e ka bërë më të vështirë realizimin e kontratave publike në projektet kapitale; miratimi i ligjit për mbështetje financiare për parallogarit e normave të inflacionit në materialet ndërtimore dhe punët përcjellëse; vështirësitë  edhe me stafin e punëtorëve dhe nënkontraktove që Kosova veç ka filluar mu ballafaquar me fuqinë punëtore; vendimi për mbështetje financiare për Operatoret Ekonomik është bërë me datë 27.12.2022, që ende nuk ka filluar te zbatohet” – ka qenë përgjigja e Demirit.

Lidhur me çështjen e parcelës së kësaj shkolle, KALLXO.com i ka dërguar pyetje edhe Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), por deri tani BIK-u nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërkaq, Ndërmarrja Punuese Ndërtimore NPN ”Bajramaj” është kompania që po kryen punimet për ndërtimin e ri të këtij objekti shkollor.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Erblin Bajrami, mbikëqyrës i projektit dhe inxhinier i kësaj kompanie ka treguar se fillimisht ka pasur edhe probleme për caktimin e lokacionit të objektit të ri shkollor.

“Në fillim komuna ka hasur ndesh me banorët, nuk ka mundur lokacionin me e gjetë. Pasi e kanë gjetur i binte në bazë se si donte komuna, donin m`i ndreq këtë objektin ekzistues të shkollës, m`i lonë domethënë nxënësit pa klasë, m`i dërgu diku m`i bartë” – ka sqaruar Bajrami.

“Tani Ministria e Arsimit e ka bërë një evitim dhe e ka bërë për mos m`u prish objekti vjetër. Kemi pritur 10 muaj për të mos u bërë kjo” – ka shtuar ai.

Ai ka treguar se ndërprerje të punimeve ka pasur edhe si pasojë e pandemisë, e po ashtu edhe ngadalësim të këtyre punimeve si pasojë të rritjes së çmimeve.

“Pas kësaj, filloi pandemia, dy herë domethënë janë tërhek paratë prej qeverisë shkaku i pandemisë edhe ne i kemi ndërprerë punimet. Pasi i filluam punimet, ngritja e çmimeve e bëri të veten dhe punimet shkuan pak më ngadalë. Mirëpo, sivjet pretendojmë objektin shkollor pa sallë sportive në shtator ose tetor maksimumi pretendojmë mi leshu” – ka përfunduar Bajrami.