Arbërie Nagavci

Nagavci apelon që komunat ta trajtojnë me seriozitet nevojën e psikologëve në shkolla

Komuna e Prishtinës ka hapur konkurs për pranimin e 25 psikologëve për shkollat e kryeqytetit.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e ka mirëpritur këtë vendim të Komunës së Prishtinës.

“Mirëpresim shpalljen e konkursit për 25 psikologë në Komunën e Prishtinës dhe i ftojmë që sa më shpejt të hapin konkursin edhe për së paku 25 psikologë tjerë.

Sipas saj, Komuna e Prishtinës i ka në dispozicion 66 pozita për psikologë e pedagogë, por aktualisht janë vetëm 4 pedagogë dhe rreth 12 psikologë të punësuar në shkollat e Prishtinës.

“Roli i psikologëve dhe pedagogëve në shkolla është shumë i rëndësishëm. Në Grantin e arsimit në nivel vendi, Qeveria ka të miratuara 520 pozita për psikologë shkollorë. Por, për fat të keq më pak se 1/3 e tyre janë të punësuar” – është shprehur Nagavci.

E para e Ministrisë së Arsimit ka apeluar tek komunat në Kosovë që këtë çështje ta trajtojnë me seriozitet.

“Si Ministri e Arsimit bëjmë thirrje tek komunat që në kuadër të përgjegjësive të tyre, këtë çështje ta trajtojnë me seriozitet, të shpallin konkurset dhe të mos pranojnë kuadër tjetër për pozitat të cilat i kanë të lejuara për psikologë” – thuhet në postimin e Nagavcit.