Arkiv

Mustafa: Vendit i duhet qeveri e re, LDK e gatshme të ndërmarrë iniciativën

Në takimin konsultativ më presidentin, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka thënë që partia e tij nuk është për shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme.

“Unë mund të them në emër të LDK-së se ne vlerësojmë që në këto momente nuk duhet të shkojmë në zgjedhje dhe se duhet të bëjmë përpjekje që të formojmë një qeveri e cila ka mandat nga Kuvendi i Kosovës dhe që mund ta qeverisë vendin në mënyrë normale. Ne vlerësojmë se qeveria në detyrë nuk i përgjigjet në tërësi kërkesave që shtrohen në para saj për arsye se Kuvendi ka shpreh mosbesim ndaj kësaj qeverie me mocion të mosbesimit”, tha ai.

Sipas tij, situata me pandeminë COVID-19 nuk mundëson zgjedhje normale, andaj edhe sa më shpejtë duhet të formohet një qeveri e re.

“Kuvendit i nevojitet një qeveri qe mund të punoj në kapacitete të plota me mandat të parlamentit dhe që komunikon në mënyrë të rregullte më parlamentin mbi bazën ligjore dhe kushtetuese edhe momenti i tanishëm me të cilin po ballafaqohet Kosova nuk mundëson që ne të organizojmë zgjedhje normale, dhe kjo është një faktorë që ne domosdoshmërish duhet të bëjmë përpjekje që të nxirët një qeveri e cila siguron shumicën në Kuvend dhe këtë ta bëjmë sa më shpejtë”, tha ai.

Mustafa tha që LDK-ja është e gatshme të ndërmarre hapa në formimin e qeverisë së re.

“Si LDK jemi të gatshëm të ndërmarrim iniciativën që të sigurojmë shumicën si parti e dytë në rast se na jepet kjo mundësi”, shtoi ai.

Qeveria Kurti është rrëzuar më 25 mars pas një mocioni të mosbesimit të iniciuar  nga partneri LDK-ja. Shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu si dhe mospajtimet për tarifën janë përmendur si arsye nga LDK-ja për ti dhënë fund koalicionit.