Mustafa përfundon dëshminë në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Ish-komandanti i UÇK-së në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, ka përfunduar sot dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë.

Në cilësinë e dëshmitarit, Rrustem Mustafa u përgjigj në pyetjet e trupit gjykues dhe pyetjeve plotësuese të ekipit të mbrojtjes së Veselit dhe Thaçit.

Gjatë pyetjeve të trupit gjykues, dëshmitari Mustafa u pyet lidhur me një deklaratë të Fatmir Humollit, i cili kishte deklaruar se informimi i Shtabit të Përgjithshëm për situatën në atë kohë bëhej nga shefi i inteligjencës, Latif Gashi.

Dëshmitari Mustafa tha se nuk kishte njohuri për këtë fakt.

“Nuk e kam ditë se Latif Gashi ka pasur raporte me dikë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, deri pas luftës’’ – tha ai.

‘’Nuk e di që ka ndodhë e as nuk kam pasë arsye me mendu që ka ndodhë’’ – shtoi ai.

Dëshmitari Mustafa u pyet tutje se kush kishte qenë përgjegjës i qendrës së ndalimit në Llapashticë.

Lidhur më këtë dëshmitari sqaroi që policia ushtarake ka qenë përgjegjëse për të gjitha qendrat e ndalimit në Zonën Operative të Llapit.

Në pyetjet plotësuese të avokatit mbrojtës të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari sqaroi që me rekomandim të Shtabit të Përgjithshëm e kishin formuar policinë ushtarake në bazën e tyre por që nuk merrnin ‘leje’ ose ‘urdhëra’ nga të njëjtit se cilët njerëz që konsideroheshin bashkëpunëtor të arrestoheshin dhe të vendoseshin në objektet e ndalimit.

“Ne e kishim një shtëpi ndalimi edhe para urdhërit të Shtabit të Përgjithshëm’’ – tha ai.

“Nuk kam pasë nevojë të marrë leje nga askush’’, shtoi dëshmitari lidhur me ndalimin e personave që konsideroheshin bashkëpunëtorë të palës serbe.

Dëshmitari Mustafa pas përfundimit të dëshmisë, përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, deklaroi që e kishte të rëndë ndjesinë e të qenit me bashkëluftëtarët e tij, me akuza aq të padrejta.

“E rëndë, shumë e rëndë ndjesia të keni përballë bashkëluftarët me akuza aq të padrejta”, ka shkruar Mustafa.

Hashim Thaçit Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.