Mustafa: Masakra e Reçakut, njëra nga krimet më të tmerrshme të regjimit serb

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në 21 vjetorin e masakrës së Reçakut ka thënë se ajo ishte njëra ndër krimet më të tmerrshme të Serbisë mbi Kosovën.

“Sot, bëhen 21 vite nga momenti kur ndodhi Masakra e Reçakut, njëra nga krimet më të tmerrshme të regjimit serb mbi popullatën civile shqiptare. Aktin makabër të regjimit të Millosheviqit e pa nga afër i tmerruar edhe ambasadori i OSBE-së, William Walker. Masakra e Reçakut, zgjoi ndërgjegjen e fjetur ndërkombëtare ndaj padrejtësive dhe krimeve shekullore të Serbisë mbi popullin e Kosovës”, citohet të ketë thënë Mustafa.

“Viktimat e Reçakut, janë vulë e çlirimit dhe shtet-formimit të Kosovës, ata janë në piedestalin e historisë më të re, andaj përulemi para veprës së tyre. Pa sakrificën e tyre, liria nuk imagjinohej dot. Lavdi jetës dhe veprës të rënëve në Masakrën e Reçakut!”, thuhet në fund të komunikatës së LDK-së për media.