Murati thotë se deri në fund të këtij viti do të bëhet ndryshimi për Ligjin për TVSh-në

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se deri në fund të këtij viti pritet të bëhet ndryshimi i Ligjit për TVSh-në.

Ai këtë e tha gjatë një konference të organizuar nga Dogana e Kosovës me komunitetin e biznesit.

Murati deklaroi se tashmë grupet punuese për ndryshimin e Ligjit për TVSh-në janë formuar.

“Duhet të theksoj që edhe Ligji për TVSh-në është në procesin e përditësimit, tashmë kemi grupet punuese dhe jemi duke punuar që deri në fund të këtij viti, ta kemi një ligj të ri i cili do të merr parasysh kërkesat, nevojat, përshtatjen me trendet, por gjithashtu edhe mbështetjen për bizneset dhe prodhuesit vendorë” – tha Murati.

Duke folur për lehtësirat, që sipas tij, shteti i ka ndërmarrë viteve të fundit, Murati përmendi edhe kthimin e terminaleve doganore në emër të shtetit, si dhe fillimin e zhdoganimit të mallrave në portin e Durrësit.

“Me ndihmën e Bankës Botërore vitin e kaluar kemi miratuar themelimin e ‘dritares së vetme tregtare’, e cila do të jetë një platformë ku të gjithë tregtarët, gjithë bizneset që merren me tregti, do të iu mundësohet kryerja e të gjitha shërbimeve në mënyrë dixhitale në kohë të shkurtë” – tha Murati.

Ministri Murati po ashtu tha se gjatë vitit të kaluar Dogana e Kosovës ka inicuar mbi 1,800 kundërvajtje dhe 93 kallëzime penale, që sipas Muratit, kanë pasur për qëllim mbrojtjen e tregtarëve.

Ndërsa drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, tha se gjatë vitit të kaluar ekpsorti ka shënuar rritje në sasi, por rënie në vlerë.

Sipas tij, rënia në vlerë e eksportit është shkaktuar nga trendet ndërkombëtare.

“Sa i përket eksportit të vitit të kaluar ne kemi vërejtur që kemi pasur një rritje në sasi për 3%, ndërsa në vlera vërehet që ka një rënie, por kjo rënie kryesisht i atribuohet rënies së vlerave të produkteve në eksport, si dhe për shkak se tregjet globale kanë qenë të ndryshueshme gjatë viteve që lamë pas. Kemi pasur disa rënie në këkresa të tregut ndërkombëtar që nuk janë trende të zakonshme” – ka thënë ndër të tjera Llugaliu.