Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Murati: Mbi 16 mijë lehona kanë përfituar përmes pakove të ringjalljes ekonomike

Deri më tani 16 mijë e 700 lehona kanë përfituar nga mbështetja e Qeverisë përmes pakove të Ringjalljes ekonomike.

Kështu ka deklaruar ministri i Financave, Hekuran Murati sot në Komisionin për Shëndetësi.

“16 mijë e 700 gra lehona kanë përfituar nga skema mbështetëse. Fillimisht ka qenë plani qe të mbështeten vetëm nënat e papunësuara por duke e ditur që te gratë e punësuara 6 muajt e parë i paguan punëdhënësi e tre muaj shteti, ne kemi dashur që të tregojmë mbështetjen edhe për 3 muajt tjerë qe deri më tash lehonat e punësuara nuk kanë përfituar nga shteti”, tha Murati para deputetëve.

Sipas kësaj mbështetje, lehonat e papuna përfitojnë nga 170 euro për gjashtë muaj radhazi, ndërsa ato të punësuarat nga 170 euro për tre muaj.

Gjithashtu Murati tha se 152,500 fëmijë kanë përfituar nga pakoja ku fëmijët deri në 2 vjeç përfitojnë nga 20 euro në muaj kurse ata mbi këtë moshë përfitojnë nga 10 euro.

Murati në komision paralajmëroi se mbështetja për fëmijët do të zgjerohet muajt e ardhshëm dhe do të përfshihen edhe mosha të tjera.

Murati kërkon mbështetjen e Komisionit për Shëndetësi për reformën e asistencës sociale