Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, 7 qershor 2022, Foto: KALLXO.com

Murati kërkon mbështetjen e Komisionit për Shëndetësi për reformën e asistencës sociale

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati sot në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka treguar për masat që janë marrë nga Qeveria në lidhje me mirëqenien sociale të qytetarëve.

Murati, përveç se ka sqaruar masat e ndihmave për qytetarët, ai ka kërkuar mbështjen e komisionit në lidhje me reformën e asistecës sociale.

Murati tha se marrëveshja me Bankën Botërore ka shkuar dy herë në Kuvend por qe nuk ka pasur mbështjen e deputetëve pasi duhet 2/3 e deputetëve për t’u votuar.

“Ne kemi nënshkruar marrëveshje me Bankën Botërore për reformimin e asistencës sociale e cila më pas hap rrugë për reformën e asistencës pensionale. Ne kemi sjellë dy herë në Kuvend marrëveshjen por nuk ka kaluar. Kërkoj nga ju si komision që të na ndihmoni sepse do të ndërtohet një sistem ku do të shtohen 10 mijë familje që do të përfirojnë e ku do të shtohet numri në 36 mijë”, tha ai.

“Synimi është që përmes kësaj reforme të mbështeten famijlet përkohësisht derisa të kycen në tregun e punës. Kategoria tjetër është punëtorët e sektorit privat që marrin pagë minimale. Projektligji që kemi sjellë dje në Kuvend parasheh qe të hiqet tatimi për rrogën e parë që merret 250 euro, pra në fund të muajit tatimi i paguar deri më tash do t’i dalë shtesë punëtorit”, deklaroi Murati.

Për shkak të mungesës së kuorumit të hënën në Kuvend nuk ka kaluar Projektligji për pagën minimale.

Ministri Murati, tutje shtoi se tashmë kanë mbetur edhe studentët që të përfitojnë nga mbështetja e Qeverisë.

“Tashmë kanë mbetur vetëm studentët që të përfitojnë dhe aktualisht jemi në shqyrtim të aplikacioneve”, tha Murati për shtesën prej 100 eurosh.