Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mungesa e materialit për pasaporta, Krasniqi e quan Qeverinë “tufë inkompetente”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar rreth mungesës së materialit për pasaporta.

Për këtë ai e ka quajtur Qeverinë e Kosovës “të paaftë” dhe “tufë inkompetente”.

Përmes një reagimi në Facebook, kreu i PDK-së ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka arritur që të sigurojë material për pasaporta për mërgimtarët që tashmë u kanë skaduar pasaportat.

Ai ka komentuar edhe veprimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka kërkuar nga shteti i Gjermanisë që të lejojë hyrjen e qytetarëve të Kosovës që u ka skaduar pasaporta.

Për këtë Krasniqi ka thënë se Qeveria në vend se të bëjë “kërkesa turpëruese” drejt shteteve mike për lejimin e udhëtimit të qytetarëve me pasaporta të skaduara, duhet që urgjentisht këtë problematikë ta shndërrojë në prioritet.

“Asnjë arsyetim nuk i shfajson qeveritarët e paaftë për të qeverisur në lidhje me mungesën e materialit për prodhimin e pasaportave. Janë bërë muaj të tërë dhe kjo tufë inkompetente nuk është në gjendje ta zgjidhë një problem të thjeshtë furnizimi. A di të tregojë ndokush nga Qeveria e fjalamanëve pse vetëm Kosova në tërë Evropën nuk ka material për pasaporta?”- është shprehur Krasniqi.

Ky është postimi i tij i plotë:

Qytetarët e Kosovës tash e disa muaj janë duke u përballur me pritje të gjata për t`u pajisur me dokumente personale si patentë-shoferë, letërnjoftime e pasaporta.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kjo është shkaktuar si pasojë e mungesës së materialit për prodhimin e tyre.

Ai ka thënë se Agjencia e Regjistrimit Civil i kanë dhënë prioritet lëshimit të dokumenteve për kategori me urgjencë që do të thotë, rastet e sëmundjeve, rastet e bashkimit familjar, rastet e aktiviteteve sportive e diplomacia, pra këto kategori kanë prioritet.