Mungesa e kuorumit, dështon seanca e Kuvendit

Në mungesë të kuorumit, ka dështuar mbajtja e seancës së Kuvendit, që në rend dite kishte pika të pa përfunduara të mbledhjeve të kaluara.

Ende pa filluar, tri partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK në shenjë revolte për caktimin e vlerës së koeficientit të pagave në 105 euro, bojkotuar seancën e Kuvendit.

Opozita të revoltuar për caktimin e koeficientit për pagat, bojkotojnë seancën e Kuvendit

Kryeparlamentari Glauk Konjufca më pas konstatoi se nuk ka kuorum të mjaftueshëm për të vazhduar më tutje.

“Nuk e kemi kuorumin e mjaftueshëm, kështu që vazhdojmë nesër në seancën e rregullt”- konstatoi Konjufca.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se vlera e koeficientit për pagat në sektorin publik këtë vit do të jetë 105 euro.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, më 22 dhjetor 2022. Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 5 janar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Projektligji i cili ka nxitur reagime tash e sa muaj, më 22 dhjetor 2022, ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pro të cilit kanë votuar 63 deputetë.

Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit. Kritikat e tyre, lidheshin kryesisht me mos caktimin e vlerës së koeficientit.

Vlera e koeficientit për paga në sektorin publik këtë vit do të jetë 105 euro