Vlera e koeficientit për paga në sektorin publik këtë vit do të jetë 105 euro

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, kryeministri i vendit ka njoftuar se vlera e koeficientit për pagat në sektorin publik këtë vit do të jetë 105 euro.

Kurti ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Financave kanë bërë përgatitjet e nevojshme sipas Ligjit të pagave.

“Pas miratimit të Ligjit të pagave, sot po vendosim në ligjin e buxhetit të Kosovës edhe vlerën e koeficientit. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave kanë bërë përgatitjet e nevojshme sipas ligjit të pagave të 82 mijë zyrtarëve publikë” – u shpreh Kurti.

Ai njoftoi se për këtë vit koeficienti do të jetë 105 ndërkaq shtoi se, sipas llogaritjeve të Ministrisë së Financave në vitin e ardhshëm do të jetë 110.

“Pas këtij procesi është mbërritur tek vlera e koeficientit për vitin 2023 dhe ai është 105, ndërsa në janar të 2024 sipas llogaritjeve të Ministrisë së Financave ai do të jetë 110. Me këtë plotësim ndryshim i hapet rrugë sistemit të ri të pagave prej këtij muaji”- shtoi Kurti.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022. Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 5 janar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Projektligji i cili ka nxitur reagime tash e sa muaj, më 22 dhjetor 2022, ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pro të cilit kanë votuar 63 deputetë.

Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit. Kritikat e tyre, lidheshin kryesisht me mos caktimin e vlerës së koeficientit.