Opozita të revoltuar për caktimin e koeficientit për pagat, bojkotojnë seancën e Kuvendit

Tri partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë bojkotuar seancën e sotme të Kuvendit, në shenjë revolte për caktimin e vlerës së koeficientit të pagave në 105 euro.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka kërkuar nga Qeveria që të rishqyrtojë çështjen e koeficientit duke shtuar se nuk do vazhdojnë qëndrimin në seancë.

“Si grup parlamentar kërkojmë nga Qeveria ta rishqyrtojë këtë çështje. PDK në shenjë revolte në përcaktimin e këtij koeficienti sot nuk do të vazhdojmë të qëndrojmë në këtë seancë “- tha Tahiri.

“Ne si grup parlamentar i PDK-së shprehim zhgënjimin tonë me përcaktimin e koeficientit të pagave nga Qeveria e Kosovës. Ky është një koeficient i mjerimit, që e thellon varfërinë, është koeficient që është mbajtë fshehtë, koeficient që i demotivon të rinjtë e të rejat. Vazhdimi i kësaj seance është i pakuptimtë”- shtoi ai.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi u shpreh se koeficienti i pagave as për së afërmi nuk adreson çështjen e inflacionit.

“Koeficienti i pagave as për së afërmi nuk adreson çështjen e inflacionit i cili ka ndodhë në këto dy vite ku jeta e qytetarëve të varfër është bërë ferr. Të paktën ishte dashtë të adresojë inflacionin i cili për produktet bazë ka arritur rreth 80 për qind”- tha Gashi.

“Në këto rrethana nuk mendoj që është normale të fillojë kështu seanca dhe ne të bëhemi sikur gjithçka është normale dhe mund të vazhdojmë. Ne nuk mendojmë se duhet të vazhdojë kjo seancë dhe mos na konsideroni pjesë të kuorumit për të filluar seanca”- shtoi ai.

Kurse deputetja e AAK, Time Kadrijaj theksoi se çështja e koeficientit do të duhej të diskutohej nëpër dëgjime publike dhe me deputetë.

“Edhe ne në shenj të kësaj  që e keni bërë që një koeficient që sa e keni mbajtë fshehtë sepse ai është dashtë të debatohet në dëgjime publike në të gjitha kategoritë që i prekë, u dashtë të diskutohet me deputetë e nëpër komisione, ju e keni mbajte fshehtë dhe tash po delni me një koeficient minimal që me këtë gjendje të rëndë ekonomike nuk ju ndihmoni qytetarëve”- u shpreh ajo.

“Vazhdoni me mashtrime se nuk e keni gjatë”- tha mes tjerash Kadrijaj.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se vlera e koeficientit për pagat në sektorin publik këtë vit do të jetë 105 euro.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022. Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 5 janar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Projektligji i cili ka nxitur reagime tash e sa muaj, më 22 dhjetor 2022, ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pro të cilit kanë votuar 63 deputetë.

Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit. Kritikat e tyre, lidheshin kryesisht me mos caktimin e vlerës së koeficientit.