Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons

Mungesa e gjinekologut të përhershëm vështirëson punën në QKMF-në e Istogut

Që pas pensionimit të gjinekologut para tri viteve, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog, ky institucion është pa një gjinekolog të përhershëm.

Kjo gjendje ka pakësuar shërbimet që po ofrohen për qytetarët në repartet e gjinekologjisë dhe të maternitetit. Për të bërë një zgjidhje komuna ka dërguar në specializim dy mjekë për gjinekologji.

Qendra po ashtu ka punësuar një gjinekolog të angazhuar tri herë në javë pas orës 15:00, por një qytetare në kushte anonimiteti, ka raportuar në KALLXO.com se ka shkuar në tri të mërkure rresht pas orës 15:00, kur sipas orarit gjinekologu punon, por ka gjetur dyert e mbyllura.

KALLXO.com ka kontaktuar me krerët e shëndetësisë në këtë komunë, të cilët kanë treguar për këtë gjendje.

Drejtori i QKMF-së, Ymer Vuthi tha se duke qenë se gjinekologu vjen nga Peja, ka raste kur atij i shkon një rast emergjent dhe si pasojë nuk mund të mbërrijë në kohë.

“Unë i besoj qytetarit por qytetari duhet me pas mirëkuptim, sepse nëse gjinekologu ka qenë në Pejë duke punu, ka dashtë me ardhë këtu e ndërkohë i ka ardhë një rast emergjent edhe ka hy në sallë të operacionit, normal që vonohet gjysmë ore ose një orë për me ardhë, ama me ardhë, vjen” – u shpreh ai.

Vuthi tha se fatmirësisht, brenda një kohe të shkurtër, mbase pas një muaji do të kthehet njëra nga gjinekologet prej specializimit dhe ky problem do të zgjidhet.

Drejtori i Shëndetësisë, Zenel Shatri tregoi se komuna kishte hapur konkurs për gjinekolog në vitin 2021, por nuk kishte aplikuar askush.

As reparti i maternitetit nuk është plotësisht funksional, kjo sipas Shatrit për shkak të mungesës së gjinekologut, sallës operative dhe stafit përcjellës për sallë.

Megjithatë, ai thotë se mamitë dhe infermieret punojnë çdo ditë dhe kryejnë shërbimet për shtatzëna dhe nëna.

“Gratë që paraqiten për lindje dërgohen me përcjellje te infermieres në Spitalin e Përgjithshëm-Repartin e Gjinekologjisë – Akusherisë në Pejë” – shpjegon tutje ai për KALLXO.com.

Mungesa e mjekëve është sfidë me të cilën po ballafaqohen institucionet shëndetësore në Kosovë.