Manastiri i Deçanit, foto/REL

Moszbatimi i vendimit për tokën e Manastirit të Deçanit, opozita e lë përgjegjëse Agjencinë Kadastrale

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit, është rikthyer në diskursin politik në vend, pas kritikave të një pjese të faktorit ndërkombëtar për moszbatimin e tij nga ana e autoriteteve përgjegjëse të Kosovës.

Për këtë çështje janë deklaruar edhe shefat e grupeve parlamentare të PDK-së, AAK-së e LDK-së pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur më 11.03.2024.

Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se kjo çështje është në kompetencë të Agjencisë Kadastrale.

“Nuk është kompetencë e komunës së Deçanit, por është kompetencë e Agjencisë Kadastrale. Këtë kompetencë e ka Agjencia që është në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës”- ka thënë ai.

Ndërsa, shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se vendimet e institucioneve duhet të zbatohen pa marrë parasysh a pëlqehen apo jo.

“Këtu askush nuk mundet me i ikë përgjegjësisë së vet. Ne si grup kemi bërë të ditur që vendimet e Gjykatave tona nuk mund t’i klasifikojmë në atë: çka duam të zbatojmë- e çka jo. Duhet të zbatohen kur na pëlqejnë e kur jo. Vetëm atëherë reflektojmë seriozitet si shtet. Këtu kemi lojë fjalësh, hudhje të topit sa andej e sa këndej dhe se marrim përgjegjësi shtetërore serioze krerët e Kosovës”- tha Tahiri.

Edhe shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri tha se Agjencia Kadastrale e ka për detyrë këtë çështje.

“A është Kosova kah konkurron për Këshill të Evropës, a Deçani. Dihet bre. Agjencia Kadastrale e ka detyrën dhe është Ministria që jep urdhër për këtë. Është vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe këtë duhet ta trajtojë ky institucion. Aleanca nuk i diskuton vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Një shtet serioz nuk e bën këtë. Pyetja ime për VV-në është: A është Kosova kah konkurron a Deçani”- u shpreh ai.

Lidhur me ketë çështje ka folur edhe shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka thënë se nuk ka ndonjë kërkesë nga qeveria për komunën e Deçanit që vendimi të zbatohet.

Ajo ka deklaruar se janë në pritje të një tjetër vendimi nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

“Nuk kam informacion që është bërë kërkesë nga qeveria e Kosovës për manastirin e Deçanit. Ndërsa, në anën tjetër me të njëjtin proces, përveç vendimit të Kushtetueses, është një proces në Gjykatën Themelore të Prishtinës me të cilën është kontestuar përkthimi i procesit të pronës tek Manastiri. Nëse flasim për drejtësi, duhet të ekzistojnë parimet e njëjta. Zbatimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë në pajtueshmëri në parimin e një aktgjykimi nga Gjykata Themelore që është në procedurë”- tha Kusari-Lila.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde ka kritikuar Kosovën për mosrespektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.

Ai në një intervistë për emisionin, “Kallxo Përnime”, ka shtuar se pa respektuar vendimet e gjykatës, Kosova s’mund të bëhet anëtare e Këshillit të Europës.

Kosova është i vetmi shtet që nuk është anëtar në Evropë, edhe pse disa shtete rishtazi janë larguar, por se dallimi i vetëm ka të bëjë me mënyrën më të mirë se si të arrihet ky synim sa më shpejt që është e mundur dhe ne kemi thënë publikisht që Këshilli i Europës është organizatë e sundimit të ligjit dhe mos zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës suaj të Lartë është shkelje e qartë e sundimit të ligjit dhe jo mënyra më e mirë për ta arritur këtë synim sa më shpejt që është e mundur” – tha Rohde.

Më 19.05.2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vendosur që Manastirit të Deçanit t’i ktheheshin 24 hektarë tokë.

Kërkesë e njëjtë me atë të ambasadorit gjerman ka bërë edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog, më 23.01.2024.

Këtë vit bëhen dy vjet që kur Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Kjo organizatë luan rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian duke mbështetur vendet e interesuara në kryerjen e reformave në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për aq sa këto reforma janë të nevojshme për mbylljen e zgjerimit.

Shpjegimi i ambasadorit gjerman se pse Kosova nuk po anëtarësohet në Këshill të Europës