Morina: Vdekjet nga COVID-19 që më kanë prekur më së shumti janë ato të grave shtatzëna

Pulmologu Besim Morina ka treguar në emisionin “Kallxo Përnime” se për të vdekjet më të rënda kanë qenë ato të grave shtatzëna e edhe ato të të rinjve.

Morina tregoi se numri i pulmologëve në fillim të pandemisë ka qenë më i vogël dhe rrjedhimisht trajtimi i pacientëve ka qenë më i vështirë për shkak të mbingarkesës. Sipas tij kanë qenë vetëm 10 pulmologë.

“Kemi pasur momente dëshpërimi ku nuk kishim si t’i ikim. Tash kemi më shumë kolegë sepse i kemi edhe specializantët. Ne kemi ndryshuar shumë dhe qasjen ndaj pacientëve. Te ne vijnë pacientët që janë pothuajse në fazën e fundit të jetës. Kishte mjekë që nuk kishin parë shumë vdekje e në valën e parë të pandemisë kemi pasur shumë vdekje. Disa mjekë nuk kanë mundur të funksionojnë. Nuk mund të themi ne mjekët se disa vdekje janë më të rënda, por disa na kanë prekur më shumë. Kemi pasur gra shtatzëna që kanë vdekur e që kanë qenë të infektuar me variantin Delta e të rinj. Këto kanë qenë vdekjet më të rënda”, ka thënë Morina në “Kallxo Përnime”.