Besim Morina - Pulmolog - Foto: Kallxo.com

Morina: Shumica e pacientëve në Pulmologji kanë sëmundje që u shkaktohen nga pirja e duhanit

Pacientët më të shpeshtë në Klinikën e Pulmologjisë janë ata që pinë duhan.

Kështu tha në emisionin “Kallxo Përnime” pulmologu Besim Morina.

Sipas pulmologut, shumë sëmundje të sistemit respirator shkaktohen nga pirja e duhanit e që më pas shkaktojnë edhe vdekje të parakohshme.

“Shumica e pacientëve që vijnë kanë probleme me sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes e që kryesisht u shkaktohet prej duhanpirjes. Përveç sëmundjes së mushkërive që shkakton duhani e që është bronhiti, duhani e shkakton edhe kancerin e mushkërive, që është kanceri më i rrezikshëm në Kosovë dhe botë. Duhani shkakton edhe vdekje të parakohshme. Sëmundjet kardiovaskulare e tromboza në këmbë e në duar janë të shpeshta dhe shkaktohen prej duhanit. Këto sëmundje janë më të rralla te ata persona që nuk e pinë duhanin”, është shprehur Morina.

Tutje Morina ka treguar se kanceri më i shpeshtë dhe më i rrezikshëm në Kosovë është ai i mushkërive e që shkaktohet nga pirja e duhanit.