Foto: REL/RFE

Mitrovicë e Veriut: Tubim në mbështetje të tre serbëve të arrestuar

Qytetarët e Mitrovicës së Veriut janë tubuar të hënën në mbështetje të tre pjesëtarëve të komunitetit serb: Dushan Obrenoviqit, Radosh Petroviqit dhe Millun Millenkoviq – Llunes, të cilët janë arrestuar ditë më parë nga autoritetet e Kosovës.

Në mesin e të tubuarve kanë qenë edhe përfaqësues të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë.

Në tubim janë parë edhe pjesëtarë të shoqatës që mbledh sportistët në veri të Kosovës.

Kryetari i kësaj shoqate, Goran Kovaç, ka thënë se organizimi ka qenë madhështor, dhe ka bërë thirrje për një tubim të ri të hënën e ardhshme.

“Ata do ta kuptojmë sa shumë njerëz janë me ta, dhe që t’i durojnë këto momente të vështira”.

Millun Millenkoviq – Llune është arrestuar më 13 qershor në Mitrovicën e Veriut, në një aksion të forcave speciale të Policisë së Kosovës.

Avokati i tij, Nebojsha Vllajiç, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se ai akuzohet për tri vepra: terrorizëm, ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues dhe rrezikim të një personi nën mbrojtje ndërkombëtare.

Ai dyshohet t’i ketë kryer këto vepra në dhjetor të vitit 2022, në kuadër të sulmit ndaj objektit të Komisionit Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, si dhe për pjesëmarrje në përleshjet mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, më 29 maj në Zveçan.

Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, janë arrestuar më 29 maj në Zveçan, përgjatë përleshjeve me pjesëtarë të KFOR-it, si pasojë e së cilave është raportuar për të plagosur në të dyja anët.

Ata akuzohen për katër vepra, ka thënë avokati i tyre, Dejan Vasiq.

Më e rënda është sulm ndaj rendit kushtetues.

Të arrestuarve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe për pasojë ka pasur protesta të vazhdueshme.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë këtë javë në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.

Presidenti i Serbisë veçse ka refuzuar të takohet me Kurtin, ndërkaq ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit./REL