Meliza Haradinaj- Stublla, In Middle LTD

Ministrja Haradinaj anulon disa vendime, reagon ish-shefi i kabinetit të Konjufcës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj dje ka anuluar disa vendimet e paraardhësit të saj  Glauk Konjufca.

Kështu ka bërë të ditur, shefi i kabinetit të ish-ministrit Glauk Konjufca, Kreshnik Ahmeti, cili ka thënë për KALLXO.com se ministrja Haradinaj ka anuluar vendimet mbi procesin e rotacionit diplomatik.

Ahmeti ka thënë se nga mediat janë informuar se në mesin e vendimeve është edhe pezullimi për kthimin e konsujve dhe shefave të misioneve.

“Nga mediat u informuam që janë anuluar vendimet për largimin e 14 personave që paligjshëm mbanin pozitat e konsujve dhe propozimi që i është dërguar Presidentit për lirimin nga detyra të shefave të misioneve, të caktuar nga çelësi politik, e që po vazhdojnë përtej mandatit të ligjshëm siç parashihet nga neni 7.8 i Ligjit Nr. 03/L-207”, ka thënë Ahmeti.

Duke iu referuar një vendimi që ka qarkulluar në media e të cilin e posedon edhe KALLXO.com, Ahmeti ka thënë se bëhet fjalë për rotacionin diplomatik.

“Nga një vendim i cili po qarkullon në media kuptohet që bëhet fjalë edhe për vendimet mbi procesin e rotacionit diplomatik, i cili parashihet me nenin 22 dhe 23 të Ligjit Nr. 03/L-207, me ç’rast diplomatët të cilët kanë përmbushur misionin 4 vjeçar, kthehen për t’u angazhuar në MPJD para se të shkojnë në misionin e radhës”, ka thënë ai.

Ish-shefi i kabinetit të Konjufcës ka thënë se shtyrja pa afat e mandatit të diplomatëve nga ana  e ministres Meliza Haradinaj- Stublla është praktikë e dëmshme dëmshme për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës.

“Duhet ta kemi parasysh që në ato vendime ka diplomatë të cilët qëndrojnë në misione për 9 vite pa ndërprerje, përderisa parashihet që një diplomat të qëndrojë në mision për 4 vite dhe pastaj të kthehet për t’u angazhuar në MPJD në Republikën e Kosovës. Nga vendimet e tilla, sikurse në të kaluarën, Shërbimi i Jashtëm është shndërruar në hapësirë për rehatim familjar e partiak dhe e tërë kjo ndodhë përderisa Republika jonë gjendet në pozitën më të vështirë të subjektivizimit të saj ndërkombëtar, që nga shpallja e pavarësisë”, ka thënë ai.

KALLXO.com siguruar vendimin në fjalë të ministres si dhe  ka kërkuar informacione nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Haradinaj-Stublla, mirëpo e njëjta nuk i është përgjigjur pyetjeve deri në momentin e publikimit të këtij teksti.

Më 3 mars Konjufca kishte propozuar tërheqjen nga misionet diplomatike të shtatë ambasadorëve: Vlora Çitaku (ShBA), Edon Cana (Bullgari), Lirim Grejçevci (Holandë), Shpend Kallaba (Hungari), Mimoza Ahmetaj (Strasburg), Ylber Hysa (Mali i Zi), Ramadan Avdiu (Zvicër), për shkak të përfundimit të mandatit.

Ndërsa më 2 prill, Konjufca përmes një letre i ka kërkuar presidentit të vendit, Hashim Thaçi që ta tërheq nga misioni diplomaten Fatmire Musliu, e cila mbanë gradën Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Frankfurt/Republikën Federale të Gjermanisë.

Më 20 shkurt ish-shefi i diplomacisë kosovare Glauk Konjufca  përmes një vendimi kishte shkarkuar edhe 14 konsuj.

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Zyra e Presidentit për kërkesat e ish-ministrit Konjufca, mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje.