Ministrja e Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, Foto: ZKM

Ministrja Hajdari: Unë do t’i përgjigjem çdo kërkese dhe çdo shpifje që keni ngritur

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari është deklaruar në lidhje me kritikat e opozitës, të cilët përmes një rezolute po kërkojnë edhe shkarkimin e saj.

Hajdari ka thënë se do të përgjigjet ndaj çdo kërkese dhe shpifje.

“Dy vjet më parë qytetarët na kanë besu dhe për kohë të gjatë ju e dini që gjithçka kishte shkuar keq në MINT. Unë do t’i përgjigjem çdo kërkese dhe çdo shpifje që keni ngritur me informata gjysmake, por duke krijuar shantazhe, shpifje dhe më shumë. Ju thoni që keni skandale të vazhdueshme dhe a janë dokumentuar, raportuar këto në raporte të auditorit sepse kemi pasë auditim”- deklaroi ajo.

Për projektin e Bankës Botërore, Hajdari tha se është huamarrje teksa shtoi se nuk kanë dhënë para për asnjë piano në ekspozitë “ExpoDubai”.

“Projekti i Bankës Botërore është projekt huamarrje. Ju shpifni që ne kemi dhënë para për një piano në ExpoDubai dhe është një shpifje shumë e madhe. Në këtë ekspozitë kanë marrë pjesë 192 shtete dhe asnjë cent i projektit nuk është në këtë ekspozitë. Janë 500 mijë euro që e kemi financu këtë ekspozitë me para të dhëna nga Ministria e Financave” – tha ajo.

“Skandalin ExpoDubai duhet ta argumentoni çka quani ju skandal, është mirë të argumentoni. Artefaktet i përmendët dhe janë në menaxhim të organizuesve të ExpoDubai dhe aty kanë marrë pjesë 192 shtete, 24 milionë vizitorë dhe nuk mund t’i kthejmë artefaktet brenda 1 apo muaji, të gjitha janë kthyer”- sqaroi Hajdari.

Më tej, ministrja Hajdari ka folur edhe për ekspertin e angazhuar me pagë ditore prej 1,000 euro.

“Angazhimi i ekspertëve 1,000 euro ditën. Po deputetë, mund të jetë 1,000 euro ditën por a keni pasë ndonjë herë politikë industriale në për Kosovën, asnjëherë. 100 mijë euro është komplet hartimi i strategjisë së industrisë dhe sa keni paguar ju? Keni paguar 1.2 milionë dhe ka mbetur dokument vetëm në letër, nuk është i zbatueshëm” –  deklaroi ministrja.

Për rezervat shtetërore, Hajdari dha se menaxhimet e saj janë në harmoni me ligjin teksa shtoi se rezervën e kanë gjetur shumë të mangët dhe kufizuar.

Kuvendi i Kosovës po zhvillon seancë, ku si pikë e parë e rendit të ditës është shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes të cilës PDK si propozuese po kërkon shkarkimin e ministres Hajdari.

PDK edhe në seancat e kaluara pati deklaruar se nuk votojnë për ligje që vijnë në Kuvend nga Ministria që udhëhiqet nga ministrja Rozeta Hajdari pas dënimit të saj për mosdeklarim të pasurisë.

Ferat Shala: Ministrja Hajdari gjatë këtij mandati ka shënuar dështime dhe skandale

LDK kërkon dorëheqjen e ministres Rozeta Hajdari