Ferat Shala: Ministrja Hajdari gjatë këtij mandati ka shënuar dështime dhe skandale

Ferat Shala nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, si propozues të pikës së parë të rendit të ditës ka filluar sot diskutimin në Kuvendin e Kosovës, për shqyrtimin e rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Shala tha se menaxhimi i MINT nga ministrja Rozeta Hajdari është përcjellë me dështime për dy vite mandat.

“Menaxhimi i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nga ministrja Rozeta Hajdari, ka shënuar dështim dhe skandale të vazhdueshme gjatë këtij mandati” – ka thënë Shala.

Ai ka renditur disa që siç është shprehur ai, skandale dhe dështime të ministres Hajdari.

“Skandali i radhës është ai i Dubait Expo 2020 ku tetë muaj artefaktet e Kosovës mbesin në Dubai ndërsa kabineti qeveritar kthehet. Pas tetë muajsh na vijnë pa e ditur saktë se si është gjendja e tyre. Një ministre që i len artefaktet më kryesore shtetërore dhe historike origjinale në Dubai tetë muaj” – tha Shala.

“Një ministri që brenda një mandati dy vjeçar shkarkon dhe emëron shtatë sekretarë permanent do të duhet të reflektonim të gjithë për të ditur se çka po ndodhë, çka janë ata njerëz ose çka është kjo ministre”- shtoi ai.

Deputeti Shala tha se në këtë ministri janë angazhuar ekspertë për hartim të strategjisë me pagë ditore, 1,000 euro.

“Kjo ministri angazhon ekspertë për hartimin e strategjisë së industrisë 1,000 euro ditën. Ju them me përgjegjësi se me pas qenë strategji për NATO-n, 1,000 euro dita është shumë”- u shpreh ai.

Shala konsideroi se rezervat shtetërore të grurit janë keqmenaxhuar nga ministrja.

“Keqmenaxhimi i rezervave shtetërore është skandali i radhës ne deri më sot e kemi ditur për keqmenaxhimin e rezervave shtetërore të grurit dhe kemi folur shumë herë, ky keqmenaxhim po vazhdon. E kemi keqmenaxhimin e vajit ushqimor gjatë fazës kur kanë qenë aferat për ngritjen e çmimeve” – theksoi ai.

“Sot e kemi edhe keqmenaxhimin e vajit ushqimor, rreth 200 mijë litra vaj të kontraktuara në kompaninë perëndimore të një shteti mik, nuk kanë ardhur. Pagesa është kryer ndërsa vaji nuk ka ardhur në Kosovë” -shtoi ai.

Deputeti tha se gjatë mandatit të ministres, asnjëherë sipas tij nuk ka pasur import të lartë nga Serbia.

“Gjatë mandatit të kësaj ministrie asnjëherë nuk kemi pasur një import kaq të lartë nga Serbia, ku importet nga Serbia janë rreth 360 milionë euro brenda 2022-tës”- tha mes tjerash deputeti i PDK-së.

“Sot si PDK ju kërkojmë të debatojmë hapur dhe të ngrisim shqetësimet tona, që të nxjerrim në pah të vërtetën dhe të nxjerrim një rezolutë që na nxjerrë nga kjo situatë edhe MINT po edhe vetë pozicionin e Qeverisë Kurti, nëse ai nuk reagon, atëherë ta keni të qartë se dikush i fortë po i qëndron mbrapa këtyre aferave”- deklaroi ai.

PDK edhe në seancat e kaluara pati deklaruar se nuk votojnë për ligje që vijnë në Kuvend nga Ministria që udhëhiqet nga ministrja Rozeta Hajdari pas dënimit të saj për mosdeklarim të pasurisë.

Kuvendi mban nesër seancë, shqyrtohet rezoluta e PDK-së për shkarkimin e Rozeta Hajdarit