Ministrja e Shqipërisë reagon për zgjedhjet në Kosovë

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka uruar që sot zgjedhjet në Kosovë të jenë të qeta.

Ajo përmes një postimi në Twitter tha se qytetarët e Kosovës e meritojnë dhe është një kohë vendimtare.

“Urojmë për një garë të qetë e qytetare, siç e meritojnë qytetarët kosovarë. Kjo është një kohë vendimtare për shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi e kudo. Një kohë për t’i treguar Europës e botës maturi e mençuri”, ka shkruar ajo.

Sot mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës. Vendvotimet janë hapur në ora 7:00.

Zgjedhjet e parakohshme vijnë  si rezultat i vendimit të  Gjykatës Kushtetuese, e cila ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja pasi ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Qeverisë së Avdullah Hotit.