Ministria e Shëndetësisë - Foto: KALLXO.com

Ministria e Shëndetësisë sqaron donacionin e BE-së për COVID-19

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë shpjegime lidhur me donacionin nga Komisioni Europian.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, KE sot i ka dhuruar Kosovës material biologjik të ARN-së së sintetizuar të virusit SARS-CoV-2 dhe jo 60 mijë teste sikurse kanë raportuar disa portale në Kosovë e Shqipëri.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ky material përdoret për të verifikuar saktësinë e fazave të transkriptimit dhe të amplifikimit të SARS-CoV-2 gjatë testimit me Real Time PCR.

“Nuk janë pranuar 60 000 teste, siç kanë raportuar gabimisht disa media, por një sasi prej 6 epruvetave me nga 100 microlitra secila të cilat pas hollimit të tyre në raport 1/1000 mund të përdoren si 60 000 kontrolla pozitive në rast të vendosjes së 5 microlitrave në një reaksion”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, Ministria thotë se materialin e njëjtë e kanë pranuar ose pritet ta pranojnë edhe nga shtetet e tjera në rajon si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut si dhe Turqia, ndërsa ky material shërben si mostër kontroll pozitive për prani të SARS-CoV-2.