Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë lehtëson procedurat për importin e barnave për trajtimin e COVID-19

Nga sot, barnat që përdoren për trajtimin e pacientëve me COVID-19 si Remdesivir, Favipiravir dhe Hydroxychloroquine, do të importohen pa autorizim të marketingut për produktet.

Ministria e ka aprovuar këtë propozim të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) në mënyrë që të shpejtohet qasja në këto barna të parapara në udhërrëfyesin klinik mbi menaxhimin dhe trajtimin e COVID-19.

Në njoftimin e ministrisë thuhet që ky aprovim vlen për periudhën gjatë pandemisë COVID-19 deri në shfuqizimin e vendimeve të Qeverisë për masa të veçanta.

“Duke pasur parasysh situatën emergjente të krijuar si rrjedhojë e pandemisë së virusit Covid- 19, Grupi profesional i AKPPM-së, bazuar në nenin 39 paragrafi 1 i Ligjit nr. 04/L-190 për produkte dhe pajisje medicinale e ka parë të arsyeshme që të krijohet mundësia e importit të barnave Remdesivir, Favipiravir dhe Hydroxychloroquine me kushte të veçanta pa autorizim për marketing, në mënyrë që të shpejtohet qasja në këto barna të parapara në udhërrëfyesin klinik nr. 9 mbi menaxhimin dhe trajtimin e Covid-19”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Gjithashtu, Ministri Zemaj do të autorizoj përfshirjen e këtyre tre barnave edhe në Listën e Esenciale të Barnave përmes plotësim-ndryshimit të saj.