U.D. i ShSKUK, Valbon Krasniqi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Furnizimi me barna anti COVID-19 është stabilizuar, thotë Krasniqi
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi, ka thwnw se furnizimi me barna për trajtimin e pacientëve me coronavirus është stabilizuar këto ditë.
Madje ai ka treguar se në përjashtim të dy barnave Ciprofloxacin dhe Heparina, të gjitha barnat tjera tashmë janë në sirtarët e klinikave.
“Ne këtyre ditëve kemi arritur të stabilizojmë furnizimin me barna që do të trajtohen pacientët me COVID. Të gjitha barnat që i kemi në udhërrëfyesin e protokollit klinik me përjashtim të dy barnave për të cilat nuk kemi arritur të lidhin tenderë, ‘Ciprofloxacin’ dhe ‘Heparina’ e të cilat janë Organin Shqyrtues të Prokurimit për shkak ankesave të kompanive mes vete, barnat e tjera i kemi të gjitha dhe kemi furnizim të qëndrueshëm”, tha gjatë emisionit ArgumetPlus në RTV21.
Por problem i pazgjidhur ka mbetur ende furnizimi me barin ‘Remdesivir’, i cili përdoret për trajtimin e rasteve me COVID-19.
Krasniqi, ka treguar se qytetarët individualisht janë duke u furnizuar me këtë bari.
“Sa i përket dy antiviralëve ‘Favipiravir’-ën e kemi donacion ndërkohë që ‘Remdesivir’-in kanë vazhduar të blejnë pacientët dhe ne e kemi përsëritur kërkesën në Ministrinë së Shëndetësisë që të riinicojnë procedurat për të blerë këtë bari”, tha Krasniqi.
Për shkak të mos furnizimit me ilaçin ‘Remdesivir’ nga Ministria e Shëndetësisë, qytetarët janë detyruar të blejnë këtë me një kosto shumë të lartë, një ampulë e tillë është blerë nëpër barnatore private nga 180 deri në 200 euro.
Por, pas raportimit të KALLXO.com për biznesin që barnatoret nëpër Prishtinë kanë bërë me shitjen e këtij ilaçi çmimi i tij është zbritur për 130 euro.