Në barnatoret e Kosovës bie çmimi i ilaçit Remdesivir, që po përdoret nga pacientët me COVID-19

Në nëntor të vitit të kaluar çmimi për një ampulë Remdesivir, ilaç që përdoret për të trajtuar pacientët e infektuar me COVID – 19, ka qenë nga 180 deri në 200 euro, përderisa pas dhjetë muajve ky çmim ka rënë në më së shumti 39 euro.

KALLXO.com ka vizituar disa nga barnatoret e kryeqytetit të cilat kanë thënë se çmimi i këtij ilaçi është nga 32 deri në 39 euro.

Një nga shitësit në njërën nga barnatoret tha se në shumicën e rasteve po kërkohen nga gjashtë doza.

“Zakonisht blerësit i kërkojnë gjashtë doza”, tha ai.

Një ilaç i tillë po përdoret edhe në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, anipse Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSSH) ka rekomanduar që ky bar të mos përdoret për trajtim e pacientëve të infektuar nga COVID – 19.

Përdorimin e këtij bari e ka konfirmuar drejtorit të kësaj Klinikës Infektive, Arben Vishaj.

“Po, përdoret Remdesiviri”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Mirëpo, ky ilaç po blihet nga pacientët, pasi që sipas Vishaj bari mungon.

“Remdesivir prej fillimit nuk kemi pasë, po shpresojmë që shpejt kemi me siguru”, tha ai.

I njëjti tregoi se në momentin kur mungojnë ilaçet, ato blihen nga pacientët.

“Është e vërtetë që kur nuk ka barna duhet me shku me ble, normale është ajo”, ka shtuar Vishaj.

Përderisa, sipas shefit të komitetit anti – COVID në Spitalin Rajonal të Ferizajt, Besim Luri, në këtë spital ky lloj bari nuk është rekomanduar, pasi që nuk kanë pasur përvoja të mira me të.

“Nuk e kemi rekomanduar këtë bari, nuk kemi pas përvoja të mira me përdorimin e këtij bari, nuk kemi pa ndonjë dritë në fund të tunelit me përdorimin e Remdesivirit”, ka thënë Luri për KALLXO.com.

Sipas tij, bari që është rekomanduar më shumë nga ta për pacientët e infektuar nga COVID – 19 është Favipiravira.

“E kemi përdorë më shumë Favipiravirën pasi që ka qenë më i lirë, bari është në formë tablete dhe është më lehtë me u përdorë”, ka shtuar tutje Luri.

I njëjti tregoi se kanë pranuar pacientë të cilët kanë qenë në gjendje të rëndë edhe pse e kanë përdorë Remdesivirin në mënyrë private nga pulmologë privat.

Ky lloj ilaçi besohet se zvogëlon kohën e shërimit të pacientëve të infektuar nga COVID – 19.

Po ashtu edhe Sistemi Kombëtar i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar në maj të vitit 2020 e kishte miratuar përdorimin e tij.

KALLXO.com në nëntor të vitit 2020 kishte raportuar se si një ampulë shitej 180 euro, pesë ampula 900 euro dhe 10 ampula 1800 euro.