Insulina - Ilustrim RTK

Ministria e Shëndetësisë: Kemi sasi të mjaftueshme të insulinave edhe për pesë muajt e ardhshëm

Qytetarët që kanë nevojë për insulina, nuk do të kenë problem edhe për pesë muajt e ardhëm për furnizim me to.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në një përgjigje për KALLXO.com, qytetarët janë duke u furnizuar vazhdueshëm që nga muaji korrik i vitit të kaluar.

“Qytetarët që kanë nevojë për insulina nuk kanë asnjë telashe për t`u furnizuar. Janë siguruar sasi të mjaftueshme për plotësim të nevojave për 5 muajt e ardhshëm”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për KALLXO.com.

Qytetarët e Kosovës nga Ministria e Shëndetësisë furnizohen me vetëm tri lloje të insulinave përmes një kontrate për furnizim përmes UNOPS.

Ministria e Shëndetësisë në muajin dhjetor 2020 kishte filluar planifikimet për blerjen e insulinave analoge në vlerë prej mbi 7 milionë euro.

Kjo blerje ishte planifikuar në mënyrë që të furnizoheshin me insulinë institucionet shëndetësore.

Vlera e përgjithshme e parashikuar e tri Loteve për 24 muaj është 7,024,056.00 euro.

Në Lotin e parë MSh ka planifikuar të blejë 262 mijë e 552 insulina analoge me veprim të shpejtë në vlerë prej 1 milionë e 239 mijë e 245 euro.

Në Lotin e dytë  MSh ka planifikuar të blejë 140 mijë e 510 insulina analoge me veprim të zgjatur në vlerë prej 932 mijë e 986 euro.

Në Lotin e tretë MSh ka planifikuar të blejë 940 mijë e 276 insulina analoge bifazike (premix) me veprim të shpejtë dhe të mesëm në vlerë prej 4 milionë e 851 mijë e 824 euro.

Këtë tender Ministria e Shëndetësisë e ka ndarë në tri Lote ndërsa ka rekomanduar për kontratë operatorin ekonomik ‘Meditech’ vetëm për Lotin e dytë në vlerë prej 932 mijë e 986 euro.

Pas rekomandimit për kontratë të këtij operatori, operatori ‘Pharma Leader’ ka dërguar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit me pretendimin se është diskrimimuar.

Më pas, Ministria e Shëndetësisë pas kërkesës së operatorit ekonomik ‘Pharma Leader’ për rishqyrtim ka vendosur të pezullojë këtë aktivitet të prokurimit deri në zgjidhjen e ankesës së operatorit nga OShP.

“MSh ka qenë duke i furnizuar institucionet shëndetësore të Kujdesit Parësor Shëndetësor vetëm me insulinë analoge, të cilën institucionet e përdorin më pak, dhe një tender për Insulina humane në të cilin ishte shpallur fituesi, pas një ankese të një operatori ekonomik nga OSHP ishte kërkuar të kthehet në ri-vlerësim me qëllim të sigurimit më të shpejtë të insulinave humane derisa çështja në OSHP të marr epilogun e saj”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për KALLXO.com.

Por, ky tender është i bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit për shkak se ky organ nuk ka bord funksional.

Institucionet shëndetësore në Kosovë pa insulina, qytetarët detyrohen të gjejnë zgjidhje jashtë kufijve