Insulina - Ilustrim RTK

Institucionet shëndetësore në Kosovë pa insulina, qytetarët detyrohen të gjejnë zgjidhje jashtë kufijve

I ulur përballë barnatores së QKMF-së në kryeqytet, Tahir Kastrati, një 84 vjeçar, ka pritur disa orë të furnizohet me insulina pasi është i prekur me sëmundjen e diabetit.

84 vjeçari u detyrua të kthehet mbrapa në shtëpi pasi kjo barnatore nuk e ka insulinën Novomix që i nevojitet atij.

“Gjithë më te parin i kena marr, po tash u bo i shtati pa e marr po edhe mujin e kalum nuk kemi pas insulina. N’ket muj hiç nuk kanë ardh pom duhet me ble tetë euro insulina, Mu më vyn Novomix po ata se kanë”, tha Kastrati për KALLXO.com.

Të njëjtin problem e ka edhe qytetarja tjetër nga Prishtina, S. B.
Ajo ka nevoj për insulinën Novomix por të njëjtën nuk e gjeti në barnatorën e QKMF-së në Prishtinë andaj u detyrua të kthehet shtëpi e pafurnizuar me insulinë.

Problemet me insulinë janë paraqitur në disa komuna të Kosovës, ndërsa të prekurit me diabet kanë vështirësi t’i sigurojnë ato në institucionet që i marrin falas çdo muaj.

Situatë e njëjtë është edhe në Obiliq e në Pejë.

“Kena pas me i marr në maj (insulinat) nuk i kanë pru hiç. Në barnatore private ka janë t`u u shit. Mua më vyn Novomix. As një javë nuk më bon një (insulinë) dhe po duhet me ble. Dje e kam ble një insulinë shtatë euro”, thotë Isuf Kliniku nga Komuna e Obiliqit.

Ndërsa, Adem Zeqiri nga Peja ka siguruar insulinat në Shqipëri, pasi ato s’ka mundur t’i sigurojë në asnjë institucion shëndetësorë në Kosovë e as në barnatoret private.

Zeqiri thotë se i ka blerë ato në një barnatore në Shqipëri, ndërsa në QKMF ku i merr zakonisht ka mungesë të furnizimit me insulina të llojeve të ndryshme tash e pesë muaj.

“Na kanë thënë që deri në fund të muajit nuk ka. S’ka asnjë lloj që gati pesë muaj. Unë i kam ble në Shqipëri një sasi sa për me kalu një kohë. Unë i kam siguru po ka grupe që nuk kanë pare me i ble. Mungesa shkakton dëme në veshkë e te plagët. Shumë më e dëmshme është kjo sesa vaksina kundër virusit”, ka thënë Zeqiri për KALLXO.com.

Ndonëse edhe pas gjashtë muajve që nga fillimi i procedurave për blerjen e insulinave, Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur të bëjë zgjidhje për diabetikët.

Këtë zgjidhje Ministria e Shëndetësisë po mundohet ta bëjë përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare (PShK) të Bankës Botërore.

“MSh ka iniciuar procedurat përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare (PShK) -Banka Botërore për një proces të përshpejtuar sigurimit të pesë llojeve të insulinave humane, me qëllim të eliminimit të mungesave aktuale, deri në stabilizimin e këtij procesi”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për KALLXO.com.

Ministria e Shëndetësisë në muajin dhjetor 2020 kishte filluar planifikimet për blerjen e insulinave analoge në vlerë prej mbi 7 milionë euro.

Kjo blerje ishte planifikuar në mënyrë që të furnizoheshin me insulinë institucionet shëndetësore.

Vlera e përgjithshme e parashikuar e tri Loteve për 24 muaj është 7,024,056.00 euro.

Në Lotin e parë MSh ka planifikuar të blejë 262 mijë e 552 insulina analoge me veprim të shpejtë në vlerë prej 1 milionë e 239 mijë e 245 euro.

Në Lotin e dytë  MSh ka planifikuar të blejë 140 mijë e 510 insulina analoge me veprim të zgjatur në vlerë prej 932 mijë e 986 euro.

Në Lotin e tretë MSh ka planifikuar të blejë 940 mijë e 276 insulina analoge bifazike (premix) me veprim të shpejtë dhe të mesëm në vlerë prej 4 milionë e 851 mijë e 824 euro.

Këtë tender Ministria e Shëndetësisë e ka ndarë në tri Lote ndërsa ka rekomanduar për kontratë operatorin ekonomik ‘Meditech’ vetëm për Lotin e dytë në vlerë prej 932 mijë e 986 euro.

Pas rekomandimit për kontratë të këtij operatori, operatori ‘Pharma Leader’ ka dërguar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit me pretendimin se është diskrimimuar.

Më pas, Ministria e Shëndetësisë pas kërkesës së operatorit ekonomik ‘Pharma Leader’ për rishqyrtim ka vendosur të pezullojë këtë aktivitet të prokurimit deri në zgjidhjen e ankesës së operatorit nga OShP.

“MSh ka qenë duke i furnizuar institucionet shëndetësore të Kujdesit Parësor Shëndetësor vetëm me insulinë analoge, të cilën institucionet e përdorin më pak, dhe një tender për Insulina humane në të cilin ishte shpallur fituesi, pas një ankese të një operatori ekonomik nga OSHP ishte kërkuar të kthehet në ri-vlerësim me qëllim të sigurimit më të shpejtë të insulinave humane derisa çështja në OSHP të marr epilogun e saj”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për KALLXO.com.

Por, ky tender është i bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit për shkak se ky organ nuk ka bord funksional.

KALLXO.com ka raportuar se mbi 100 tenderë kanë mbetur të pezulluar pasi bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit nuk është funksional për t’i shqyrtuar ankesat e bizneseve.

Qeveria Kurti e ka anuluar konkursin e shpallur nga Qeveria Hoti dhe ka shpallur konkursin e ri për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këtij institucioni.

QKMF- të në komuna në mungesë të insulinave

KALLXO.com ka kontaktuar disa komuna për të konfirmuar nëse ka mungesë të insulinave.
Komuna e Prishtinës, Ferizajt, Vitisë, Gjilanit, Mitrovicës, Pejës dhe Drenasit kanë mungesë të insulinave.

Komuna e Prishtinës ka hapur tender në vlerë prej 200 mijë euro për furnizim me insulina.
Në zyrën e prokurimit thuhet se nga tenderi pritet të blehen “12 mijë e 750 pena të insulinës analoge me veprim të shpejtë (Shiringë e mbushur Sol. Për injektim 100UI mL;3mL s.c), si dhe 26 mijë e 700 pena të Insulinës analoge bifazike (premix) me veprim të shpejtë dhe të mesëm (Shiringë e mbushur Sol. për injektim 100UI mL; 3mL s.c. (30, 70, 25, 75, 50, 50, 70, 30)”.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Ferizajt, Abetare Kurti- Maliqi, në një prononcim për KALLXO.com ka treguar se janë furnizuar me 310 pena të insulinës Levemir, përderisa ka treguar se mungojnë tash e tre muaj edhe disa lloje të tjera të insulinave.

“Mungojnë që 3 muaj këto insulina Novomix, Novorapidinsulina Gensulin M, insulina Gensulin R dhe Insulina Bazal (mungon që 1 muaj). Sipas informatave nga Depoja Qëndrore e MSH pritet çdo moment që të furnizohen me insulinat të cilat mungojnë”, thotë drejtoresha.

Mungesa e insulinave po ashtu është shqetësuese është në komunën e Gjilanit. Drejtoresha e QKMF-së, Arbenita Hajdari, thotë se është muaji i dytë që QKMF në Gjilan nuk ka insulina.

“Po është muaji i dytë në QKMF që nuk jemi furnizu nga Ministria e Shëndetësisë do të thotë një muaj i plotë ka kalu edhe javën e kaluar jemi furnizu me disa materiale që është prej listës esenciale por insulina nuk e kemi. Asnjë llojë të insulinave nuk e kemi”, tha ajo për KALLXO.com
Nga komuna e Drenasit thonë se kanë bërë kërkesë të furnizohen me insulina por një gjë e tillë nuk u përmbushë nga Ministria e Shëndetësisë.

“60 deri 70 doza Levemir i kemi në depo. Është Novomix, Novorapid, Mixtardi për momentin e kemi vetëm Levemirin. Çdo të tretën javë kemi bërë kërkesë”, thotë Arsim Haxhiu, drejtor i shëndetësisë në Drenas.

Çka është diabeti dhe pse nevojiten insulinat?

Fatbardh Ramadani, endrokrinolog në Spitalin Rajonal të Ferizajt, në një interevistë dhënë për KALLXO.com ka sqaruar se çka është diabeti dhe pse janë të nevojshme insulinat.

“Diabeti është sëmundje metabolike e cila karakterizohet me zvoglimin e sekrecionit të insulinës në pankreas e përcjellur gjithashtu me  një rezistencë periferike e cila për pasojë do të ketë një çrregullim të metabolizmit, karbohidrateve, yndyrnave dhe proteinave”, ka thënë Ramadani.

Diabeti mund të zbulohet në çdo moshë, shpeshtësi më shumë ka rreth moshës 50 vjeçarë. Komplikacionet janë të shumta pra dallojnë komplikacionet akute të diabetit novitus.

Sipas Ramadanit ka lloje të ndryshme të diabetit që i prek pacientët e ndryshëm.

Ramadani ka thënë se diabeti nuk ka ndonjë dallim të gjinisë, sipas tij, të dyja gjinitë mund të preken nga diabeti.

Insulinat sipas tij mund të përdoren vetëm pas këshillimit me mjekun. Trajtimi me insulinë fillon pasi ka dështuar trajtimi me dietë.

“Pacietët që fillojën trajtimin me insulinë analoge apo humane duhet të mos i ndërprejnë për shkak se mund të shkaktohen probleme të tjera në shëndet. Është shumë e nevojshme që këta pacientë të vazhdojnë trajtimin. Komplikimet mund të jenë shumë të mëdha. është rregull dhe vetëm në situata të caktuara mund të tërhiqet nga përdorimi i insulinës dhe është domosdoshmëri”, ka thënë Ramadani.