Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Punëve të Jashtme reagon pas akuzave për fshirje të historikut nga ueb-faqja

Disa ish-ministra dhe disa ish-diplomatë kanë reaguar sot duke pretenduar se historiku i aktiviteteve diplomatike është fshirë nga ueb-faqja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

Lidhur me ketë, MPJD ka reaguar përmes një përgjigje për KALLXO.com.

Sipas Ministrisë, ueb-faqja është në proces të ridizajnimit dhe përditësimit të informacioneve.

Sipas tyre, përmbajtja e vjetër do të shërbehet shumë shpejt tek arkivi.mfa-ks.net.

“Ju njoftojmë se uebfaqja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, është në proces të ridizajnimit dhe përditësimit të informacioneve. Lidhur me këtë, në uebfaqe është i shkruar njoftimi ku thuhet (pjesa e fundit me ngjyrë të verdhë): “Uebfaqja e re është duke u pasuruar me përmbajtje dhe veçori të reja, përmbajtja e vjetër do të shërbehet shumë shpejt tek arkivi.mfa-ks.net”- thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Sot, ish-ministrat Meliza Haradinaj-Stublla e Petrit Selimi, por edhe ish-diplomatët Vlora Çitaku dhe Bernard Nikaj, një veprim të tillë të MPDJ-së e kanë vlerësuar si të pakuptimtë dhe joserioz.

Në një kërkim në ueb-faqen e Ministrisë figurojnë emrat e ish-ministrave por jo fotografitë, aktivitetet e biografitë e tyre. E vetmja biografi e publikuar është ajo e Ministres së Jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz. Ndërsa publikimi i aktiviteteve është bërë vetëm nga data 6 qershor 2022 deri më tani.

Ish-ministra e ish-diplomatë akuzojnë MPJD-në për fshirje të historikut nga ueb-faqja