Konferenca për media e kryeminsitrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla për situatën në veri, 7 nëntor 2022, Foto: KALLXO.com

Ministri Sveçla për pretendimet e Miliçeviqit: Nuk ka ndodhur asnjë problem, incident e aq më pak dhunë

Gjatë ditës së sotme, organizata joqeveritare “Aktiv” përmes një postimi ka pretenduar se drejtori i kësaj organizate, Miodrag Miliçeviq, është sulmuar nga zyrtarët e Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Jarinje.

Mirëpo, këto pretendime janë mohuar nga Policia e Kosovës, e cila thotë se ky pretendim nuk qëndron dhe është i pavërtetë.

Për këtë ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se nuk ka ndodhur asnjë problem, incident e aq më pak dhunë ndaj Miliçeviqit.

“Nga vizitat e mia të shpeshta atje dhe takimet me të gjithë zyrtarët policor, jam bindur me sjelljen shembullore të zyrtarëve policor, por përkundër kësaj, kam kërkuar raport nga zyrtarët policor të kufirit dhe hetim të këtyre pretendimeve nga Inspektorati Policor i Kosovës, me rezultatet e të cilit qytetarët tanë do të njoftohen në kohë rekorde” – ka thënë Sveçla përmes Facebook-ut.

Tutje, ministri ka thënë se sipas njoftimit të Policisë, Miliçeviq ka kaluar sot në pikën kufitare në Jarinje dhe nuk ka ndodhur asnjë problem.

“Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, Milicevic ka kaluar sot në pikën kufitare në Jarinje dhe nuk ka ndodhur asnjë problem, incident e aq më pak dhunë. Për të konfirmuar këtë, zyrtarët tanë policor kanë kontaktuar me zyrtarët kufitar të Serbisë të cilët kanë njoftuar se i njëjti nuk ka paraqitur ndonjë shqetësim apo problem gjatë kalimit kufitar” – ka vijuar Sveçla.

Ai po ashtu është shprehur se anëtarët e Policisë së Kosovës janë në shërbim të të gjithëve qytetarëve pa dallim.

“Dua të siguroj të gjithë qytetarët se të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë në shërbim të të gjithëve pa dallim, për të ofruar siguri. Institucionet tona respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve që jetojnë e veprojnë në Kosovë, duke garantuar kështu siguri, mirëqenie e barazi për ta” – ka përfunduar ai.