Ilustrim

Aktivisti serb pretendon se u sulmua nga policët e Kosovës, Policia e mohon

Gjatë ditës së sotme, Organizata joqeveritare “Aktiv” përmes një postimi ka pretenduar se drejtori i kësaj organizate, Miodrag Milicevic, është sulmuar nga zyrtarët e Policisë së Kosovës në Pikën e Kalimit Kufitar në Jarinje.

Mirëpo, këto pretendime janë mohuar nga ana e Policisë së Kosovës, të cilët përmes një sqarimi për media kanë thënë se ky pretendim nuk qëndron dhe se është i pavërtetë.

“Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, lidhur me shkrimet e publikuara/raportuara nga organizata të ndryshme si: “NGO Aktiv” e të tjera, ku sipas tyre sot në Jarinje nga zyrtarët policorë është sulmuar z. Miodrag Milicevic, ju informon se ky raportim nuk qëndron dhe se është i pavërtetë” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje është sqaruar në detaje se çfarë ka ndodhur sot me drejtorin e organizatës dhe se cilat kanë qenë veprimet e zyrtarëve policorë ndaj tij.

Policia ka treguar se sot, në orën 09:28 personi në fjalë me automjetin e tij është paraqitur në vendkalimin kufitar Jarinje.

Pas përfundimit të procedurave kufitare, sipas Policisë, Milicevic pa asnjë problem ka vazhduar në drejtim të Republikës së Serbisë.

Policia thotë se vlen të potencohet se ndaj Milicevic nuk ka pasur asnjë incident apo maltretim siç deklarohet apo aludohet në shkrimet e publikuara.

“Me qëllim të riverifikimit janë ndërmarrë masa shtesë, ku zyrtarët policorë me detyrë në Jarinje kanë pyetur edhe palën serbe nëse dikush ka paraqitur ndonjë ankesë, ku nga mbikëqyrësi i ndërrimit të palës serbe është konfirmuar se deri më tani nuk ka pasur ndonjë ankesë për sjellje jo të mirë a o diçka të kësaj natyre” – tha Policia.

Gjithmonë duke iu referuar njoftimit të Policisë, bazuar në gjendjen reale dhe raportet zyrtare, këta të fundit kanë konsideruar se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt, në mënyrë që përmes dezinformatave të tilla të mos tentohet të njolloset puna profesionale e zyrtarëve policorë, të mos krijohen tensione dhe pasiguri te qytetarët.

Për këtë çështje as Inspektorati Policor i Kosovës ende nuk ka pranuar ndonjë ankesë nga ndonjë person.

Në anën tjetër, OJQ “Aktiv” kanë reaguar në lidhje me rastin e pretenduar të ngacmimit verbal dhe fizik të drejtorit Miliceviq.

Ata i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të pavarura përgjegjëse ta shqyrtojnë rastin.

“Sjellja agresive dhe e paligjshme e forcave speciale policore në zonat e banuara me serbë në veri të Kosovës paraqet rrezik sigurie që mund të çojë në pasoja të paparashikueshme, e të cilat janë shkaktuar nga pjesëtarët e forcave speciale të Policisë së Kosovës” – thuhet tutje në reagimin e kësaj organizate.

Gjithashtu, OJQ “Aktiv” i kanë bërë thirrje akterëve ndërkombëtarë, para se gjithash KFOR-it dhe EULEX-it, Evropës dhe shteteve të QUINT-it që të përfshihen më aktivisht në monitorimin e situatës së sigurisë dhe t’i kushtojnë më shumë vëmendje sjelljes së forcave speciale policore në komunat në veri të Kosovës.