Ministri Sveçla e informon presidenten Osmani për zhvillimet në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, për t’u informuar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se ministri Sveçla ka njoftuar presidenten Osmani për hapat e ndërmarra sa i përket sigurisë publike dhe mbarëvajtjes se funksionimit të institucioneve ligjzbatuese në veri të vendit.

Po ashtu në njoftim është thënë se presidentja Osmani ka qenë dhe është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet e sigurisë në vend për të garantuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës të Drejtorisë Mitrovica – Veri, Nenad Gjuriq, për shkak të refuzimit nga ai dhe vartësit e tij për t’u lëshuar ‘qortime’ pronarëve të veturave me targa ilegale.

Si reagim ndaj kësaj, Lista Serbe më 5 nëntor ftoi takim të jashtëzakonshëm me zyrtarë serbë – pjesë e institucioneve të Kosovës.

Pas kësaj mbledhjeje u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e atë gjyqësor.

Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS, duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Dje, më 6 nëntor, në stacionet policore në zonën e veriut të Kosovës ka pasur vazhdimisht zyrtarë policorë që kanë dorëzuar fletëdorëheqjet e tyre, ndërsa sot disa nga ta janë parë edhe duke dorëzuar armët e pajisjet e tjera.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM) do të marrin fletëqortime.

Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.

Në anën tjetër, BE dhe SHBA-të kanë kërkuar nga autoritet e Kosovës shtyrjen e vendimit për targat dhe krijimin e asociacionit të Komunave me Shumicë serbe pas situatës së krijuar dy ditët e fundit në veri, ku serbët vendosën të japin dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sot, deputetët e Listës Serbe kanë dorëzuar zyrtarisht mandatet.