Ministri Peci merr vendim për heqjen e vilave të ndërtuara kundërligjshëm në Stankaj të Rugovës
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka njoftuar se ka marrë vendim për lirimin e të gjitha pronave në fshatin Stankaj të Rugovës, ku ka pasur ndërtime të jashtëligjshme.
Bëhet fjalë për 25 vila në pronën e Institutit Bujqësor të Kosovës me seli në Pejë.
Sipas Pecit, një vit më parë personalisht si ministër ka bërë denoncim publik për “njërin prej rasteve të abuzimit më flagrant me pronën shtetërore”. Megjithatë, shton ai, që nga atëherë instancat e drejtësisë, me theks të veçantë prokuroria e shtetit, nuk i ka ndërmarrë veprimet e duhura.
“Përkundër që i kemi ndërmarrë të gjitha veprimet administrative, një veprim i tillë nuk është shoqëruar edhe me ndërmarrjen e veprimeve nga instancat e drejtësisë, me theks të veçantë nga prokuroria e shtetit por si duket kjo pritje jonë ka qenë e kotë” – ka thënë ministri Peci në një video të postuar në profilin e tij në Facebook.
Tutje, ministri thotë se mosveprimi i prokurorisë e ka shtyrë atë që sot ta marrë vendimin për heqjen e të gjitha objekteve që janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme në pronat në fjalë.
Ai tha se pret që institucionet shtetërore ta implementojnë vendimin të cilin e ka marrë sot.
“Pres nga mekanizmat ekzekutivë dhe instancat shtetërore që ky vendim i cili ka bazë ligjore, të implementohet ditëve në vijim”, ka deklaruar ministri Faton Peci.