Ministri Krasniqi vazhdon të qëndrojë brenda objektit të Komunës së Leposaviqit

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi po vazhdon të qëndrojë ende në ndërtesën komunale në Leposaviq.

Ai aty gjendet pas një vizite që i bëri kryetarit të kësaj komune, Lulzim Hetemi, i cili që nga 29 maji gjendet brenda komunës.

Vizitën ministri Krasniqi e filloi herët në mëngjes dhe sipas këshilltarit politik të MAPL-së, Arianit Abazi nuk dihet edhe sa do të qëndrojë aty.

Abazi në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë, se ministri nuk është i shoqëruar me ndonjë anëtar të kabinetit të tij.

“Ministri, qysh kanë raportuar edhe mediat është në Leposaviq, deri kur është unë nuk mundem me e ditë, se është vetëm atje, pra prej kabinetit nuk e ka shoqëruar dikush” – ka thënë ai.

KALLXO.com ka provuar të marr një përgjigje edhe nga ministri Krasniqi. Ai ka hapur telefonin, por përgjigje për situatën nuk ka dhënë.

“Jam duke e prit një telefonatë tjetër, nëse mundemi pas pak flasim” – u shpreh shkurt ai.

I pyetur nëse është duke vazhduar ende të qëndrojë në ndërtesën komunale në Leposaviq, përgjigja e tij prapë ka qenë e njëjtë.

“Ju lutem, pas pak se jam duke e prit një telefonatë tjetër” – tha Krasniqi prapë dhe më pas e mbylli telefonin.

Në anën tjetër, një grup i protestuesve serbë në Leposaviq tentuan të hyjnë në objektin komunal sot.

Pas një bisede të shkurtër me pjesëtarët e misionit të NATO-s, KFOR, të cilët ruajnë ndërtesën e komunës, zyrtari i Listës Serbe, Zoran Todiq, i ftoi të tubuarit t’i afrohen ndërtesës së komunës dhe, siç u shpreh, të hyjnë në vendet e tyre të punës.

Tensionet në veri u rritën në fund të majit, kur Policia e Kosovës i ndihmoi kryetarët të futen në ndërtesat komunale, me gjithë kundërshtimet e serbëve lokalë.

Ato kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarë të KFOR-it.

Dhjetëra të plagosur u raportuan nga të dyja anët.

Bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Kosova që menjëherë ta shtensionojë situatën, përkatësisht t’i tërheqë njësitë speciale të policisë nga veriu, të organizojë zgjedhje të reja lokale dhe të kthehet në dialog me Serbinë.

Nga Beogradi zyrtar, në anën tjetër, kërkohet që të sigurojë pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në zgjedhjet e mundshme lokale.

Kërkesë e protestuesve serbë, deri më tash, ishte tërheqja e forcave speciale të Kosovës, si dhe lirimi i të arrestuarve për pjesëmarrje në protesta.

Policia e Kosovës arrestoi gjashtë persona të dyshuar për pjesëmarrje në veprimtari kriminale, por vetëm tre prej tyre iu shqiptua masa e paraburgimit prej një muaji.

I fundit që u arrestua ishte Millun Millenkoviq – Llune, për të cilin autoritetet kosovare pretendojnë se është një nga organizatorët e sulmeve ndaj KFOR-it në Zveçan. Ai akuzohet për terrorizëm, ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues dhe rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës beson se për shkak të arrestimit të tij, Serbia ka rrëmbye”, siç thonë, tre policë kosovarë në komunën e Leposaviqit.

Beogradi zyrtar pretendon se ata janë arrestuar në territorin e Serbisë.