Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut i kërkon Kosovës ta rishqyrtojë vendimin për masat anti-COVID-19

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, tha se ka kontaktuar ministrin e Shëndetësisë të Kosovës, Rifat Latifin, të cilit i ka kërkuar rishqyrtimin e vendimit sipas të cilit çdo person që hyn në Kosovë duhet të ketë  si dëshmi certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza ose atë me dy (2) doza bashkë me testin RT-PCR negativ jo më herët se 48 orë para nisjes.

“Duke konstatuar bashkërisht se gjendja me pandeminë në të dyja vendet është gati e njëjtë,  kërkova nga homologu im, Latifi, që ta rishqyrtojnë këtë vendim dhe të kërkojnë një mundësi tjetër që edhe të mbrohet shëndeti i qytetarëve të të dyja vendeve, por edhe të mos pengohet qarkullimi i tyre i lirë”, ka shkruar ai në Facebook.

Sali ka vlerësuar se ky vendim i Qeverisë së Kosovës i kufizon qytetarët e Maqedonisë së Veriut që vijnë në Kosovë.

“Kolegut tim ia përcollа edhe brengën e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, që kanë lidhje familjare, biznesore e detyrime të tjera që i lidhin me Kosovën, e të cilët kjo masë i ka kufizuar ndjeshëm”, ka theksuar ai.

Të premten Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që çdo person që hyn në Kosovë duhet të ketë  si dëshmi certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza ose atë me dy (2) doza bashkë me testin RT-PCR negativ jo më herët se 48 orë para nisjes.

Kërkese për rishqyrtim të këtij vendimi nga Qeveria e Kosovës ka bërë edhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.