Vesel Krasniqi - Burimi i fotos FCB

Ministri i ri i Tregtisë, i akuzuar për vetëgjyqësi

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, për zgjedhjen e Qeverisë së re është bërë edhe caktimi i ministrave të ri.

Një ndër ministrat e rinj, përkatësisht ministri i Tregtisë dhe Industrisë është Vesel Krasniqi.

KALLXO.com mëson se Vesel Krasniqi, në gjykatën e Gjakovës – Dega Malishevë ka qenë i akuzuar për vetëgjyqësi.

Një gjë e tillë është konfirmuar nga zëdhënësi i gjykatës, Lekë Muqaj.

Në lidhje me këtë rast, Gjykata Themelore në Gjakovë dega në Malishevë, me datën 23 janar 2020 kishte marrë aktgjykim lirues, ndërsa me datën 2 mars 2020 është përpiluar ky aktgjykim.

Sipas Muqajt, kjo lëndë gjendet me ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Lidhur me raportimin e KALLXO.com, ministri Vesel Krasniqi ka thënë se aktakuza ndaj tij është e padrejtë.

Reagimin e plotë të Krasniqit mund ta lexoni në vijim:

E nderuara redaksi e mediumit Kallxo.com, dëshirojë të ju informojë lidhur me shkrimin tuaj se unë Vesel Krasniqi kam aktakuzë për vetëgjygjësi!

Unë kam qenë krejtësisht padrejtësisht i ngarkuar me këtë aktakuzë të cilën edhe vetë Gjykata Themelore Gjakovë- Dega Malishevë me datë 02/03/2020, e ka hedhur poshtë si të pa bazë, duke më liruar nga kjo aktakuzë.

Andaj redaksi e nderuar kërkojmë mirëkuptim nga ana e juaj që ta demantoni këtë me vendimin e kësaj Gjykate që do të iu dërgojë.

Unë me përgjegjësinë më të lartë deklaroj se nuk kam pranuar asnjë aktakuzë tjetër dhe asnjë ankesë lidhur me këtë çështje:

Faleminderit për mirëkuptim!

 

Votohet Qeveria e Avdullah Hotit

.