MTI

MTI siguron grante në përmirësimin e cilësisë së produkteve vendore

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka mbajtur konferencën informuese për lansimin e “Programit për Grantet e Përputhshme (PGP)”, i cili ka për qëllim bashkëfinancimin me Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) dhe shoqatat e biznesit për fushat e standardizimit/certifikimit të produkteve si dhe shërbimet e zhvillimit të biznesit.

Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se ministri Endrit Shala, tha se qëllimi i këtij  programit është mbështetja me bashkëfinancim ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme me potencial eksportues për certifikimet dhe standardet e produkteve, si dhe për qasjen në shërbimet për zhvillim të biznesit dhe në trajnime.

“Në hapjen e kësaj konference, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala fillimisht potencoi se Qeveria e Kosovës ka pranuar financim nga Grupi i Bankës Botërore për Projektin e Konkurueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport (CERP) dhe që Nënkomponenti 1.2 i CERP-it parasheh përkrahjen e bizneseve për të përmirësuar cilësinë e produktit dhe gatishmërinë për eksport, ku përfshin financimin prej 2.3 milionë eurosh për Programin e Granteve të Përputhshme (PGP)”, thuhet në komunikatë.

Sipas ministrit përmes granteve kompanitë do të ndihmohen në rritjen e tregut, në rritjen e eksportit dhe në zhvillimin e produkteve të reja, si dhe në ngritjen e kapaciteteve njerëzore, duke ndikuar po ashtu edhe në profesionalizmin e tyre.

“Ky financim do të shërbejë shumë për kompanitë edhe në standardet ISO, ku do të ulin koston e bizneseve dhe do të kenë efekt në përmirësimin e cilësisë së sigurisë. Po ashtu standardet ISO i ndihmojnë kompanitë për të hyrë në tregje të reja, duke siguruar përputhshmërinë e produkteve dhe shërbimeve”, citohet të ketë thënë Shala.

Tutje, ministri Shala theksoi se beson se bizneset tona do ta shfrytëzojnë këtë mundësi të jashtëzakonshme për të përfituar nga mundësitë e këtij granti për t’u zhvilluar dhe që të jenë konkurrente edhe në tregjet e Bashkimit Evropian.