Ministri i Mbrojtjes kërkon vëmendje të shtuar të NATO-s në rajon për të minuar ndikimin ruso-serb

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka kërkuar vëmendje më të madhe nga NATO në rajonin e Ballkanit.

Sipas Mehajt, kjo për arsye për ta pamundësuar ndikimin ruso-serb.

“Aktivitetet e luftës hibride, në rajonin tonë, Rusia përmes Serbisë, i realizon në vazhdimësi me luftën politike me metoda jokonvencionale destabilizuese të ndërthurura me aktivitete asimetrike siç janë sulmet kibernetike dhe ato përmes lajmeve të rreme (fake neës)”, shkroi Mehaj në Facebook.

“Prandaj, kërkojmë vëmendje të shtuar të autoriteteve politike dhe ushtarake të NATO-s përmes Komandës së Forcës së Bashkuar në Napoli (JFCNP) në rajonin tonë, për të pamundësuar kështu ndikimin dhe influencën e qarqeve destabilizuese ruso –serbe të mbështetura edhe nga qarqet kineze në rajon”, thuhet tutje në postimin e tij në Facebook.

Ai ka përmendur edhe zhvillimet e muajve më parë pranë kufirit Kosovë-Serbi.

“Zhvillimet e shpeshta në kufirin Kosovë – Serbi dhe provokimet nga ushtria  serbe, i vlerësojmë kërcënim shumë serioz dhe duhet të adresohen fuqishëm politikisht nga Bashkimi Evropian dhe me veprime  e qëndrime konkrete nga NATO , respektivisht  Komanda e Forcës së Bashkuar në Napoli (JFCNP) përmes operacionit KFOR në Kosovë”, tha ministri Mehaj të shtunën.

Në fund, ai tha se Kosova qëndron fuqishëm krah aleatëve, ShBA-së dhe NATO-së.