Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim në Prishtinë, ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak. 24 janar, 2024. Foto:KALLXO.com

Ministri çek Dvorak në Kosovë, pritet nga presidentja Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim në Prishtinë, ministrin për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, Martin Dvorak. 

Pas këtij takimi, Dvorak pritet të zhvillojë takime bilaterale me kryeministrin, Albin Kurti dhe me zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Takimi bilateral i Kurtit me Dvorak do të zhvillohet në ora 11:00, ndërsa me Bislimin në ora 11:30.

Pas takimit të Bislimit dhe Dvorak do të ketë konferencë për media.

Martin Dvorak është politikan, diplomat, ekonomist dhe publicist çek, i cili ka shërbyer si Ministër i Çështjeve të BE-së në kabinetin e kryeministrit të Çekisë Petr Fialës që nga maji 2023.

Ndërmjet viteve 1999 dhe 2002, Dvorak mori pjesë në Misionin Administrativ të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ku shërbeu si administrator i Istogut dhe Gjakovës për 28 muaj.

Ai ka treguar se ka punuar në Kosovë dhe se tashmë mezi pret të takojë drejtuesit e shtetit të Kosovës si ministër për Europë.

“Kosova është një nga vendet që synon integrimin në Bashkimin Evropian. Unë vetë kam punuar këtu më shumë se njëzet vjet më parë si administrator i dy komunave në shërbimet e OKB-së. Tani jam kthyer në një rol të ri dhe mezi pres të takoj miqtë e mi”, ka shkruar Dvorak në rrjetin social “X”.

Dvorak ishte mbështetës i bombardimeve të NATO-s.

“Isha atëherë – dhe mbetem edhe sot e kësaj dite – i bindur se ishte e vetmja mënyrë për të ndaluar gjenocidin që po kryente regjimi i Millosheviqit mbi popullsinë civile të Kosovës”,  kishte thënë vite më parë Martin Dvorak në një intervistë për “The Business Soiree”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim në Prishtinë, ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak. 24 janar, 2024. Foto:KALLXO.com