Vizita e ministrit çek Martin Dvorak në Kosovë. 24 janar 2024. Foto: KALLXO.com

Ministri Dvorak: Çekia është aleati më i afërt i Kosovës

Ministri për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak gjatë vizitës së tij në Kosovë ka shprehur përkrahjen e tij për Kosovën në rrugën europiane dhe euro-atlantike.

Dvorak i cili më parë kishte punuar në Kosovë, tha që shpreh dëshirën ta ripërsërisë që Çekia është aleati më i afërt i Kosovës dhe se duan ta shohin Kosovën në Bashkim Evropian.

“Jemi të gatshëm të ju ndihmojmë edhe më shumë për detyrat e juaja të shtëpisë. E di që Kosova është duke e bërë më të mirën e saj. Dëshira jonë është që të ju shohim sa më parë në familjen tonë, anëtarësimi i juaj në Këshill besoj që do të ndodhë sa më shpejtë të jetë e mundur” – tha Dvorak në një konferencë për media pas takimit me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Dvorak shprehu kënaqësinë e tij që kosovarët kanë nisur të udhëtojnë pa viza nëpër Evropë. Përveç kësaj, ai tha se Çekia do të vazhdoj të jetë mik i Kosovës në proceset evropiane.

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi afirmoi që vizita e Dvorak paraqet marrëdhëniet e shkëlqyera të dy vendeve.

“Kemi ndarë suksese me qeverinë çeke, ka qenë atëherë kur përmes presidencës çeke ishte marrë vendimi për liberalizimi i vizave, më pas edhe paraqitja e aplikimit të anëtarësimit në BE nga kryeministri Kurti në Pragë” – tha Bislimi në konferencë.

Bilsimi tha që gjatë takimit biseduan për masat ndaj Kosovë dhe se “pozita jonë që masat të hiqen por më e rëndësishmja që procesi i dialogut të ndahet nga integrimi i Kosovës në BE”.

Gjatë vitit 2022, Qeveria e Kosovës kishte punuar me Komisionin Evropian dhe Presidencën Çeke të BE-së për ta kthyer në agjendë të Këshillit të BE-së çështjen e vizave për Kosovën.

Qeveria e Kosovës me 12 gusht, 2022 ka dërguar një raport të përditësuar teknik tek Komisioni Evropian me theks në arritjet në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, riatdhesimin, menaxhimin e azilit e migrimit.

Pasi që Presidenca Çeke e ka vendosur në agjendën e Këshillit në grupin punues të vizave, është zhbllokuar procesi i cili kishte ngelur i bllokuar për 4 vite.