Dvorak në takim me Kurtin: Çekia është mbështetëse e Kosovës në integrimin euro-atlantik
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ministrin për Çështje Europiane të Republikës së Çekisë, Martin Dvorak.
Sipas njoftimit, Dvorak ka thënë se Çekia është mbështetëse dhe mike e afërt e Kosovës dhe e integrimit të saj euro-atlantik.
Po ashtu, ai është shprehur i lumtur për vizitën dhe mikpritjen si dhe për ndryshimet dhe zhvillimin në vend nga koha kur shërbente në Kosovë.
Ndërsa, kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohjen e tij për Republikën e Çekisë për kontributin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë përmes misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe misionit të Bashkimit Europian për sundim të ligjit (EULEX), përkrahjen përmes votës në proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe tash së fundmi rolin e saj në procesin e suksesshëm të liberalizimit të vizave.
Në njoftim thuhet se Kurti dhe Dvorak diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve, me theks te mundësitë e avancimit të tyre.
Martin Dvorak kishte shërbyer si administrator i Komunës së Istogut dhe Gjakovës ndërmjet vitit 1999-2002.