Foto: ZKM

Kurti priti në takim ambasadorin e ri të Çekisë në Kosovë, Bohumil Mazanek

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Republikës së Çekisë në Kosovë, Bohumil Mazanek.

Kurti dhe ambasadori Mazanek kanë diskutuar mbi marrëdhëniet bilaterale duke theksuar gatishmërinë për rritje të bashkëpunimit në fusha si ekonomia, shkëmbimet tregtare, siguria dhe mbrojtja, diplomacia parlamentare e kultura.

Sipas njoftimit, Kurti ka theksuar përkushtimin e Kosovës në objektivat strategjikë siç janë anëtarësimi në Këshillin e Europës, në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe marrja e statusit të vendit kandidat për avancim në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

“Ambasadori shtoi se Çekia është një mbështetëse e madhe e Kosovës dhe kjo është politikë konstante e vendit”- thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se së fundmi, Kosova dhe Republika e Çekisë, ngritën nivelet përkatëse të përfaqësimit në atë më të lartë, të ambasadorëve me të drejta të plota.

“Ky hap është një dëshmi e marrëdhënieve tona të shkëlqyera, të ndërtuara mbi angazhimin tonë të përbashkët për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit” – theksohet tutje në njoftim.

Ndërsa, është bërë e ditur se gjatë takimit, Kurti i ofroi ngushëllimet e tij popullit çek për humbjen e një personaliteti të rëndësishëm si ish-ministri i Punëve të Jashtme, Karel Schwarzenberg.

Tutje thuhet se, Kurti dhe Mazanek u takuan zyrtarisht për herë të parë në pritjen e ambasadës çeke me rastin e 105-vjetorit të Festës Kombëtare të 28 tetorit të vitit 1918, derisa takimi i sotëm rastisi në një datë tjetër historike për Çekinë, atë të “Revolucionit të Kadifenjtë” të 17 nëntorit 1989.