Qeveria

Foto: Denis Sllovinja

Ministrat bëjnë fushatë nga ndërtesa e Qeverisë, a e lejon këtë Rregulla për Zgjedhje?

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, përmes një video-incizimi ka ftuar kolegët e tij për të mbështetur kandidaturën e Arben Vitisë për kryetar të Prishtinës.

Kurti ka ftuar Glauk Konjufcën, Hekuran Muratin, Artane Rizvanollin, Hajrulla Çekun, Rozeta Hajdarin, Donika Gërvallën e të tjerët t’i tregojnë me video arsyet dhe planet e tyre për ta mbështetur kandidatin e partisë së tyre për transformimin e Prishtinës.

Kësaj thirrjeje deri më tani i janë përgjigjur Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë dhe Hekuran Murati, ministër i Financave.

Nga objekti i Qeverisë së Kosovës me pamje nga Prishtina ministrja dhe ministri kanë kërkuar që të votohet Arben Vitia për kryetar të Prishtinës.

Gjithashtu kanë ftuar edhe kolegët e tjerë të mbështesin Arben Vitinë.

Por, a u lejohet zyrtarëve institucionalë të shfrytëzojnë hapësirat e institucioneve për të bërë fushatë?

Rregullën për Zgjedhje nr. 13/2013, neni 4, pika 4.1, të KQZ-së thuhet: “Subjektet politike të certifikuara nuk duhet t’i mbajnë tubimet publike brenda hapësirës së ndërtesave që shfrytëzohen nga Qeveria, Institucionet dhe Agjencitë e Pavaruar të Republikës së Kosovës ashtu siç përcaktohen për kreun XII të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në shkolla gjatë orarit të mësimit, spitale, objekte të FSK-së, objektet e kultit, objektet fetare, ose në vende në pronësi private pa pëlqimin e pronarëve të tyre. Shkollat nuk duhen të përdorën për tubime publike përveç nëse KQZ-ja dhe Qeveria e Kosovës pas memorandum marrëveshje vendosin ndryshe që ato të përdorën vetëm pas orarit të punës”.